Prishtinë- Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se Departamenti i Hetimeve në kuadër të një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, ka arrestuar mbrëmë (e mërkurë) një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative (Divizioni i Njësive Speciale).
Sipas IPK-së, zyrtarit policor me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari. IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.