Gazetarja nga Ukraina Lyudmila Makey ka arritur sot në Kosovë.
Ajo është pritur nga kryeministri Kurti në zyrën e tij ku i ka garantuar kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë.
“Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, tha Kurti.
Postimi i plotë:
Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë, znj. Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus.
Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme.
Falënderojmë Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionin Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për bashkëpunimin në programin Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) në Kosovë.
Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.
Do të kujdesemi që znj. Makey dhe kolegët e saj që do t’i mirëpresim, të kenë kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë.