Shkruan: Samir Ramadani
Në vitet e fundit, interesi për profesionin e mësimdhënësit ka rënë ndjeshëm në disa fusha studimi në veçanti. Kjo rënie është ndikuar nga disa faktorë, si mundësitë e kufizuara për punësim në këtë profesion në disa lëndë, pagesa jo e meritueshme që nuk përputhet me nivelin e përkushtimit dhe përgjegjësisë, mungesa e hapësirave për rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional e personal etj. Të jesh mësimdhënës nuk është më si dikur.
Universiteti, si pjesë e arsimit të lartë, është përgjegjës për përgatitjen e kuadrove të kualifikuar për mësimdhënie për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Çka nuk është në ‘terezi’ me kërkesat ligjore në fuqi dhe kualifikimet!? Përveç niveleve të arsimit 0-1 (edukatore) dhe 1-5 (klasor), ku sipas normativit në fuqi mjafton grada baçelor me 240 ECTS, në dy nivelet tjera të arsimit parauniversitar – niveli fillor i mesëm ulët (6-9) dhe niveli i mesëm i lartë (10-12) – kërkohet kualifikimi master me 300 ECTS apo së paku baçelor me 240 ECTS për të gjitha fushat. Këto kërkesa ligjore duhet të rishikohen dhe ulën, veçanërisht për nivelin fillor të mesëm ulët.
Arsimi i lartë nga ana tjetër, Fakulteti i Edukimit në këtë rast, duhet të ofrojë programe me profile në fusha arsimore që mbulojnë më shumë se një lëndë. Në të gjitha fushat ku është e mundur, duhet të ofrohen programe studimi që përfshijnë dy ose më shumë lëndë, të cilat çojnë në një gradë të kualifikimit të pranueshëm-njohur edhe nga ligji për punësim në mësimdhënie.
Në nivelin fillor të mesëm të ulët (6-9), mjafton një kualifikim baçelor me 180 ECTS për të themeluar marrëdhënie të rregullt pune, ndërsa sa i përket nivelit të mesëm të lartë, gjimnazeve dhe shkollave profesionale, është normale të kërkohet grada master sipas lëndës – profilit. Në fund të ditës, ajo që e bën një mësimdhënës të mirë nuk është vetëm njohuria për lëndën, por aftësia për ta trasmetuar atë në mënyrë efektive dhe të kuptueshme tek nxënësit.
Një veprim i tillë është shumë i nevojshëm nga ana e bartësve të arsimit të lartë, për të përballuar krizën e mungesës së mësimdhënësve në shkolla, e cila ka filluar të bëhet e dukshme në disa fusha të caktuara, si shkencat e natyrës, matematika dhe disa të tjera. Kjo situatë kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga përgjegjësit e politikave të arsimit të lartë.