Ditën e mërkurë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Livoq të Gjilanit, shkruan OnAir.
Arsimtari Farush Sadiku rrahu nxënësin e tij 12 vjeçar me incialet E.H. Për këtë ngjarje arsimtari u shoqërua në polici, por më pas u lirua me procedurë të rregullt pas rrëfimit që dha.
Për “ATV” arsimtari thotë se nxënësi në fjalë gjithnjë e ofendonte dhe kishte një sjellje shumë problematike. Për të vërtetuar fjalët e tij ai posedon edhe një video ku shfaqet nxënësi me këtë sjellje. Gjithashtu ai tregon se drejtori e ka larguar nxënësin dy herë nga shkolla për shkak të sjelljes së tij.
Prindërit e nxënësit në fjalë nuk pranojnë të prononcohen përballë kamerave të televizionit, por theksojnë se incidenti ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës dhe ka qënë arsimtari i cili ka vepruar i pari. Ata bëjnë thirrje për largim të arsimtarit nga pozicioni i tij.
Deri më tani, asnjë masë e mëtejshme nuk është marrë, por të dy si arsimtari ashtu edhe nxënësi vazhdojnë me procesin e mësimit rregullisht.