Ambasadori i SHBA-së dhe ai i Britanisë së Madhe në Prishtinë gjatë javës së kaluar kanë kërkuar vazhdimisht të luftohet korrupsioni, nepotizmi, por asnjë fjalë nuk e kanë thënë për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Për shkak të zhvillimeve politike në Serbi dhe në BE, ku pritet të mbahen zgjedhjet në maj të këtij viti, vlerësohet se çështja e taksës po lihet në plan të dytë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Teksa ka folur rreth faktit që bashkësia ndërkombëtare kohët e fundit ka ndërprerë presionin për heqje të taksës, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se zbehja e presionit ndërkombëtar ka ardhur pasi ata tashmë janë bindur se idetë për korrigjim të kufijve janë të rrezikshme.
“Besoj se të gjithë faktorët e përfshirë në procesin e dialogut janë pajtuar që ideja për ndërrimin e kufijve, ideja antikombëtare e Thaçit është e dëmshme dhe në fakt është e panegociueshme. Kam përshtypjen se kjo ka ndikuar më tepër që të zbehet përpjekja e ndërkombëtarëve për të bërë presion mbi Prishtinën, sepse e kanë parë që idetë fillestare të presidentit Vuçiq dhe të presidentit Thaçi janë të pazbatueshme dhe shumë të rrezikshme për vendin”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Megjithëkëtë, Selmanaj ka thënë se ruajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët për LDK-në është tejet e rëndësishme dhe e padiskutueshme.
“Për LDK-në ruajtja e raporteve me bashkësinë ndërkombëtare është e pakontestueshme dhe e pacenueshme. Askush nuk guxon t’i cenojë raportet me miqtë ndërkombëtarë”, ka nënvizuar Selmanaj.
Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e LVV-së se vendimi për taksën ka qenë i drejtë dhe si i tillë duhet të vazhdojë të mbahet në fuqi. Pushimi i presionit ndërkombëtar për suspendim të tarifës sipas tij ka ardhur si rrjedhojë e mostërheqjes së shefit të ekzekutivit nga vendimi për taksën.
“Kjo rezistencë e kryeministrit në këtë rast ka dërguar një mesazh se vërtet është bërë mjaft duke bërë presion vetëm mbi institucionet e Kosovës dhe duke i toleruar skajshmërish veprimet destruktive të Serbisë karshi Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.
Në anën tjetër edhe Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se presioni i bashkësisë ndërkombëtare është ndalur si rrjedhojë e këmbënguljes së kryeministrit për të mos e hequr tarifën dhe si rrjedhojë e zhvillimeve të brendshme në Serbi.
“Arsyet se pse nuk po vazhdon më presioni për heqjen e taksës ka të bëjë me atë që po e shohin se kryeministri Haraidnaj pavarësisht kërkesave dhe presioneve nuk po tërhiqet nga ky vendim. Përpos kësaj, një arsye tjetër mund të jetë edhe gjendja në Serbi. Po e shohim që ka protesta masive kundër udhëheqjes së presidentit Vuçiq, çka do të thotë se as Serbia njëherë nuk është e gatshme që të vazhdojë dialogu”, ka deklaruar ajo. /ZERI