Mbi 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar të martën në një biznes në Zahaq të Pejës ku dyshohej se po përpunoheshin produkte të mishit me afat të skaduar. Mishi që u konfiksuar, u raportua se u gjet në qendrën tregtare ETC.
Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar pronarin e Elkosit, Ramiz Kelmendi, i cili tha se mishi është kapur në frigoriferët e kompanisë.
Sipas tij, punëtorët kanë hezituar ta deklarojnë mishin me afat të skaduar, për të cilin thotë se nuk është i prishur.
“Nuk jonë në ETC, mishi ka qenë i deklaruar për asgjësim dhe në bazë të asaj që kam parë edhe unë i përgëzoj AVUK dhe Policinë që e kanë mundëso me e hudh diçka që punëtorët kanë hezitu si duket me deklaru, për shkak se e kanë bo gabimin e mosrespektimit të afateve si malli që ka hy i pari dhe ka dalë. Nuk ka qenë produkt për ETC. Si ka qenë puna atje nuk e di, për arsye se nuk nuk hi nëpër frigorifera, s’jom kanë që 1 vjet. Është përgjegjësi për atë punë. Pa marrë parasysh dëmi i takon firmës. Sikur ni jogurt i del afati, e kqyr që i ka dalë afati po nuk u prish. Unë ni çokollatë që i ka dalë afati e ha lirisht edhe dy muaj ditë, nëse është e rujtne mirë.
Çdo gjë me afat të skaduar, nuk është produkt i prishur. Çdo produkt që ka qenë me afat të skaduar ka qenë i deklaruar se është me afat të skaduar. Policia dhe Inspekcioni e kanë gjetur. Mishi është gjetur në frigoriferin qendror të Elkosit. Policia e ka kry punën e vet. Ka pasë ndalesa”, tha Kelmendi për Sinjalin.
Policia njoftoi mbrëmë se gjatë inspektimit në këtë depo është gjetur mish me afat të skaduar. Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia.
Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar. Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 (tridhjetë e gjashte mijë e njëqind e tetëdhjetë) kilogram.
Menaxheri kryesor i pesë njësive të biznesit afarist A.H., është dërguar në mbajtje, derisa zëvendësi i depos është arrestuar dhe më pas është liruar.