Ish-Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në Listën e Zezë, për përfshirje në korrupsion.
Grubi ka thënë se për këtë vendim të Departamentit amerikan të Shtetit është njoftuar nga mediat, duke shtuar se jetën publike ia ka kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore, shkruan Reporteri.net.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht. Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka shkruar Grubi.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur në “Listën e Zezë” ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe Enver Bexhetin, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftim thuhet se ata janë përfshirë në korrupsion. Pjesë e kësaj liste janë edhe familjarët e ngushtë të Grubit.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi (UBK). Mijalkov u përcaktua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Në kuadër të këtij aksioni caktohen edhe familjarët e ngushtë të Grubit”, thuhet në njoftim.
Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, Aggeler tha se vendimi i 9 dhjetorit i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin “është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet”.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i [fusin në listën e zezë] ata të cilët përfshihen në korrupsion të madh, i cili i minon institucionet demokratike dhe prish besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin, ndërsa llogaridhënia është jetike për të përparuar”, tha Aggeler.