Shkruan: Avni Rudaku
1. Kemi shesh, shumë të gjatë, por me ndërprerje. I pakryer. Prej qeverisjes së Lutës, ende nuk po kryhet. Për aq shumë vjet e qeverisje.
2. Kemi shesh, por kaotik. Vende-vende pa ndriçim, vende-vende me “varreza”, me shumë pengesa. Bari i egër ka dalë mbi pllaka. Disa kanë devijuar, disa janë shtypur më poshtë e anash, e disa janë më lart.
3. Pa fije turpi, Albini erdhi në vënien e gurthemelit të Bulevardit, ndërsa e premtoi përfundimin e autostradës në vitin 2023. Qysh nuk i vjen marre?!
4. Nënshkrimi i kontratës 1 muaj para fushatës, dhe gurthemeli 10 ditë para fillimit zyrtar të fushatës, të kujton kritikat e Vetëvendosjes ndaj qeverisjeve të partive të tjera, se po punuakan veç për fushatë. Po ju?!
5. Është absurde, të nënshkruash një kontratë aq të madhe financiare, në fund të mandatit, ndërsa vendimet e mëdha, nuk është etike të merren nga një qeverisje në shkuarje.
6. Po parkingu nëntokësor, a i afron veturat kah qendra e qytetit, apo i dëbon ato?! A duhet të jetë qëllimi të futen sa ma shumë makina brenda qytetit apo të ndalen më larg qendrës, e veçmas në një qytet si Gjilani, ku është i mbingarkuar me çdo gjë dhe me aq pak gjelbërim?!
7. Si rrënohet mbi çdo trashëgimi historike?! Muzeu i Burgut famëkeq, duhet të ruhet gjithsesi. Duhet të rifunksionalizohet, si në Prishtinë, me aq shumë aktivitete e vizita të organizuara. Është funksional falë mbështetjes financiare nga MKRS për një OJQ për ca vjet. Edhe Gjilanit, i jap dhjetëra ide se si të bëhet me muze bashkëkohor të burgut, vuajtjeve për çlirim e liri, për kujtesë kolektive, vetëm duhet vullnet për konsultime me qytetarë. Jo qeverisje me teke, eufori e axhamillëk.
8. Bulevardi duhet të kryhet me cilësi, me shpejtësi, për të mos e bërë jetesën e mërzitshme për disa vjet në Gjilan. Shihni prerjet e rrugëve në Dheun e Bardhë, me aq shumë zvarritje. Shihni hyrje-daljet në Prishtinë, zvarritje për shumë vjet. Kush merr përgjegjësi për pluhurin e fasadave të shtëpive e banesa me dhjetëra mijëra euro nga këto punime të stërzgjatura?! Po veturat që duhet pastruar aq shpesh dhe është rritur tejmase çmimi në autolarje?! Po dëmtimi i makinave?! Po dëmtimi i bizneseve?! Po vështirësia për ecje?!
9. Pse nuk ka transparencë? Pse nuk u tregua data e përfundimit, që ta mbikëqyrim edhe ne qytetarët?!
10. Ku është analiza e mobilitetit në trafikun rrugor dhe a është publikuar?!
11. Pse ka kompleks Albani, “sheshin e Lutës”, e doli me sheshin e vet, duke ia ndërruar edhe emërtimin e zakonshëm si në Shqipëri nga frëngjishtja e italishtja, për sheshin, si “bulevardi i Albanit”?! Ku është analiza e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve për një bulevard të ri, në vend të shumë projekteve të tjera prioritare?! Pse kjo ngarendje për të hyrë në historinë e qytetit, me gurthemelin në prag të fushatës?! Pse nuk priti 1 muaj pas rezultateve zyrtare ta vinte gurthemelin?! Si mund të dalësh me gurthemele në fund të mandatit, thua se përfundoi e ta kërkosh mandatin e dytë me një projekt me tri lopata çimento nga Albini, Albani e Shemsiu?!
12. Si i thoni me nxitim, punëtorëve në Gjeodezi, Kadastër e Pronë, për dy ditë, mbaroni punë, po e prishim objektin, transferoni dokumentet aq të ndjeshme e shkoni në Shkollën e Bujqësisë?! Pse ky nxitim fushate për një projekt me impakt në aq shumë palë?! A keni respekt për punonjësit e drejtorive komunale?!
13. A jam për bulevardin?! Natyrisht se po. Po të mundja, shumë sheshe do t’i bëja. I adhuroj pa masë. Jam biocentrik me në qendër njeriun, kafshët e bimët. Por ne nuk kemi seriozitet institucional as edhe një ta mirëmbajmë?! Përveç shtegut të ecjes deri mbi Drinin, ku mund të ecësh pa pengesa në Gjilan?! A nuk kemi nevojë për një park të madh, ku ecim, shëtisim, freskohemi, vrapojmë, dalim me fëmijë, dalim me qenë, dalim për argëtim, dalim për lexim e këndim?! A nuk kemi nevojë për një shteg modern të ecjes përreth liqeneve të Livoçit e Përlepnicës?! A nuk kemi nevojë për më shumë hapësira në lagjet urbane për t’u çlodhur?! Pse nuk mirëmbahen edhe ato pak fusha sportive si në lagjen Dardania 1?! Në këtë lagje, bari artificial është shkatërruar, ka gropa dhe rrjetat anash janë demoluar dhe nuk mund të ecim lirshëm nga topat e hedhur në rrugë nga fusha e futbollit dhe rrezikohen edhe fëmijët?! Për çfarë qeverisje flet, kryetar mendjemadh?!
14. Për fund, po bulevardit, jo çdo gjëje se si po bëhet me aq nguti fushate.