Gjenerata e Mantelbardhave që në të njejtën kohë e jetësuan të kaluarën dhe jetuan të tashmen, në të njejtën kohë na mundësuan ta njohim edhe të ardhmen.
Për shkak të gjurmëve që kanë lënë!
Gjysmë shekulli qëkur gjenerata e parë shqiptare e “Motrave Medicinale” vendosën themelet e shëndetësisë në komunën e Gjilanit, që në të vërtetë ishin themelet e shtetësisë së Kosovës në nismën e sendërtimit të Kushtetutës së parë juridike të vitit 1974 të Kosovës mbi të cilën u sendërtua mëvetësia e sotme e shtetit të Kosovës.
Kjo gjeneratë e artë e “Motrave Medicinale” të cilat që nga viti 1975 ishin dhe mbetën “MOTRA” të të gjithë qytetarëve të komunës sonë po përmbyllin një kapitull të vogël të jetës së tyre për të hapur një kapitull kolosal të lavdisë së tyre, kontributit e veprës së pafundme të tyre.
Ato përgjithnjë do mbesin në kujtesë të shumë gjeneratave që erdhën pas e atyre që do vijnë në vijim, për t’u skalitur përjetshëm në PIONIERE të shëndetësisë që fliste e mendonte shqip.
Duke shkruar historinë e gdhendur djersën e tyre brenda historisë, Xhemile Sadiku Ibrahimi, Lumnije Musliu Emërllahu, Zyrije Bllaca Hajrullahu, Sadete Abdullahu Demiri, Mevlyde Jonuzi Morina, Kadrije Osmani, Nedrete Imami Aliu, Belgizare Osmani Krasniqi, Adile Isaku, Shpresa Mustafa Latifi, Mejreme Shaqiri Bunjaku, Mejreme Emini Bislimi, Suzana Ismaili Matoshi, Zyrafete Mustafa Elezi, Ylbere Abazi Shaqiri, Emine Muji Jashari, Emine Haliti Ahmetaj, Shyhrete Jashari Rexhepi, Hazbije Mehmeti Keka, Ajete Neziri Rrahmani, Sahide Halimi Qerimi, Minivere Abdiu Islami, HavaVrapçani Maqedonci, Makfire Hamiti Paqarada, Vahile Shabani, Hixhrete Krasniqi, Vahide Haziri Mrasoraj, Syzaije Azemi, Mejra Avdyli, Sevdije Selimi Kryeziu, Ramize Ismajli, Ylfete Ymeri, Fatmire Koshutova, të ndjerat që tani nuk janë në mesin e shoqeve, Muzafere Selmani Rexhepi, Shejzije Morina, Zyrije Bunjaku Gjinolli dhe Mihrije Kadriu Hasani, e me këmbënguljen dhe kontributin e jashtëzakonshme të Dr. Zeqirja Saiti, në misionin e tyre jetësor e human duke e shkrirë në shtylla të institucioneve shtetërore, Ato sot janë shndërruar vet në INSTITUCION, në institucion të shëndetit e humanizmit njerëzor, të fjalës së ëmbël, falenderimit e mirënjohjes qytetare
Ato sot janë shndërruar në UDHËRRËFYESE, të sakrificës, të bashkëndjenjës së dhembshurisë, të ndihmës së pakursyer, kurimit shpirtëror, mendor e fizik, ndjelljes së shpresës.
Ato sot janë shndërruar në SIMBOL, të luftës së njeriut për njerëzit, të flijimit të vetes së vet në shpëtim të një jete, të vënjes së individualitetit në shërbim të universales.
Një gjysëm shekulli këto MOTRA vuajtën bashkë me vuajtjet e popullit tonë, kaluan nëpër peripecitë e sistemeve e ideologjive të ndryshme, përjetuan regjimin komunist të Titos, suprimimin e autonomisë, aparteidin gjenocidal të Milosheviçit por ato mbetën STOIKE, para syve e në duar të tyre kaluan Demonstratat e vitit 1981, burgosjet politike të veprimtarëve të kombit, helmimet masive të nxënësve e studentëve shqiptarë, e Ato përsëri mbetën në ballë të QËNDRESËS.
Përjetuan edhe luftën çlirimtare të UÇK-së e çlirimin e Kosovës, përjetuan shpalljen e Pavarësisë, qeverisjet e njëpasnjëshme të pasluftës, e panë edhe ardhjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në pushtet dhe po e përjetojnë edhe këtë ndryshim të madh.
Si një LAPIDAR i gjallë!
Sepse kur ne flinim ato rrinin zgjuar për ne, kur ne s’mund të qëndronim shtrirë ato në këmbë na ngritnin, kur ne të përlotur ofshanim ato buzagaz mbrapa na kthenin, kur ne askend afër s’kishim, ato familja e shtëpia jonë bëheshin.
Këto zonja të bardha të kësaj gjenerate të artë me shembullin unik që na e lënë për të ndjekur, po përfundojnë një rrugë të tyren për t’iu lënë trashëgimi qytetarëve tanë gjithaq rrugë tjera tashmë të trasuara të prosperitetit, në shtegëtimin që asnjëherë s’do merr fund për gjeneratat e reja dhe popullatën në përgjithësi të komunës tonë.
Le t’iu dëshirojmë këtyre ZONJAVE TË BARDHA shëndet ashtu sikur për 5 dekada, natë e ditë, në vështirësi e në ligështi, vikendeve e festave, në acar e në të reshura, këto Motra Medicinale na dhuruan gjithë neve, gjithë qytetarëve të komunës sonë e më gjerë SHËNDET e BARDHËSI, le t’iu dëshirojmë lumturi, paqe e qetësi në jetën e tyre, në shoqëritë e familjet e tyre, ashtu sikur ato për gjysëm shekulli na sollën lumturi e prehje në jetët tona, shoqëritë e familjet tona.
JU FALEMNDERIT!