Asambleisti i deritanishëm në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Gentrit Murseli, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për mandatin e tij të tretë, duke garuar në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
I njohur si një prej asambleistëve më aktivë jo vetëm në Gjilan, por edhe në nivel vendi në mesin e të gjitha komunave të monitoruara, Murseli thotë se kërkon përsëri besimin e qytetarëve për të vazhduar angazhimin e tij me vendosmëri dhe përkushtim.
“Gjatë këtyre viteve nuk kam heshtur kurrë – kam debatuar kur ka qenë nevoja, kam propozuar e kundërshtuar kur ka pasur arsye dhe kam kritikuar pa ofenduar askënd, gjithmonë duke mbrojtur interesin e përgjithshëm,” është shprehur Murseli.
Ai e konsideron shërbimin ndaj qytetarëve si “nderin më të madh të jetës së tij” dhe thekson se këtë rrugëtim dëshiron ta vazhdojë në përputhje me vizionin dhe lidershipin e kandidatit të LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, të cilin e cilëson si energji dhe vendosmëri e re për qytetin.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, Gentrit Murseli do të garojë me numrin 2 në listën e LDK-së për Asamblenë Komunale të Gjilanit.