Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fitim Guda, ka kritikuar ashpër Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të komunës, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e personave të përfshirë në hartimin e saj.
Përmes një reagimi publik, Guda e ka cilësuar dokumentin si “skandaloz”, ndërsa ka përdorur shprehjen “padituri institucionale” për të kritikuar qasjen e udhëheqjes komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
“Kur padituria harton strategji, zhvillimi ekonomik mbetet vetëm në letër!”, ka shkruar Guda, duke theksuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të planifikohet pa njohuri të mirëfillta për ekonominë, prodhimin dhe investimet.
Sipas tij, strategjia është dashur të hartohet në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me bizneset kryesore të Gjilanit, prodhuesit, investitorët dhe profesionistët që e njohin ekonominë nga përvoja praktike.
Guda ka propozuar organizimin e një punëtorie pesëditore jashtë ambienteve institucionale, ku do të analizohej gjendja ekonomike e qytetit dhe do të përcaktoheshin objektiva të matshme dhe projekte konkrete zhvillimore.
“Zhvillimi ekonomik nuk bëhet me improvizime e dokumente formale, por me dije, përvojë dhe njerëz që dinë të krijojnë vlerë”, ka përfunduar Guda reagimin e tij.
Kritikat e asamblistit të LDK-së vijnë në kuadër të debatit për strategjinë që synon të përcaktojë drejtimet e zhvillimit ekonomik të Gjilanit./Radio Star/










