Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me entuziazëm qytetar, asamblisti nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatos Ramadani, njëherësh ndër më të votuarit në zonën e tij, ka pritur ish-presidenten Vjosa Osmani në lagjen ku ajo kishte nisur rrugëtimin e saj politik.
Takimi, i zhvilluar në prani të shumë banorëve, u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe mbështetje e dukshme nga qytetarët, të cilët e mirëpritën Osmanin me interes dhe respekt. Ky organizim u interpretua nga shumëkush si më shumë sesa një vizitë e zakonshme – një sinjal i mundshëm për një rikthim të saj në skenën aktive politike.
Në këtë vizitë, në shoqërim të Vjosa Osmani është parë edhe Valentina Bunjaku Rexhepi, gjë që i ka dhënë edhe më shumë vëmendje takimit dhe ka tërhequr interes të madh nga banorët e pranishëm.
Banorët e lagjes shprehën besimin se Osmani mund të rikthehet “në shtëpinë e saj politike”, aty ku kishte ndërtuar themelet e karrierës së saj. Mbështetja e vazhdueshme që ajo po merr në çdo paraqitje publike po shihet si tregues i një potenciali të fortë elektoral.
Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: a po paralajmëron kjo valë mbështetjeje një rikthim të Vjosa Osmani në garën politike?
Deri më tani nuk ka një deklarim zyrtar nga vetë Osmani lidhur me planet e saj të ardhshme, megjithatë, zhvillimet e fundit dhe mobilizimi i përkrahësve sugjerojnë se skena politike në vend mund të jetë përpara një dinamike të re në periudhën në vijim.

