Asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Afërdita Balaj Ajdini, ka njoftuar largimin e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke bërë të ditur se nga tani e tutje do ta ushtrojë mandatin e saj si asambleiste e pavarur.
Përmes një reagimi publik, Balaj Ajdini ka theksuar se pas shumë viteve angazhimi aktiv brenda partisë, ka vendosur të tërhiqet nga të gjitha funksionet dhe postet politike që ka mbajtur në kuadër të LDK-së.
Ajo ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për anëtarët dhe përkrahësit e LDK-së për besimin dhe bashkëpunimin ndër vite, duke vlerësuar rrugëtimin dhe sfidat e përbashkëta.
“Nga sot, nuk do të mbaj më asnjë post politik. Mandatin tim do ta ushtroj si asambleiste e pavarur deri në fund, me përgjegjësi dhe përkushtim”, ka deklaruar Balaj Ajdini.
Ajo ka shtuar se do të vazhdojë të jetë përfaqësuese e qytetarëve të Gjilanit, duke u angazhuar për nevojat, kërkesat dhe projektet me rëndësi për zhvillimin e qytetit./Radio Star

