Asdren Toska është doktor i shkencave ekonomike, autor e bashkautor i artikujve shkencorë në revistat e nderuara shkencore e ndërkombëtare dhe anëtar i bordeve redaktuese në revistat shkencore.
Toska botoi librin monografik të parë, me titull: “Strategjitë e hyrjes së kompanive të Kosovës në tregjet e huaja”, veçmas për periudhën 2012-2013, me kombinim të teorisë dhe metodologjisë shkencore, duke hulumtuar kompanitë kosovare që kanë depërtuar në tregun ndërkombëtar, me theks të veçantë të operimit ndërkombëtar përmes eksportit.
Libri përbëhet nga hyrja, diskutimi i problematikës, qëllimet, pyetjet hulumtuese, hipotezat, metodologjinë, për të vazhduar me rishikimin e literaturës, arsyet e përdorimit të strategjive hyrëse në tregjet e huaja, modelet e ndërkombëtarizimit, ndërmarrjet “Born Global” dhe ato organike, strategjitë e zgjedhjes së tregut, kohën e operimit, shkallën e hyrjes në tregjet e huaja, strategjitë e hyrjes me formën mbizotëruese të kompanive kosovare me eksport, me licensën, franshizën, investimet e përbashkëta, çelësin në dorë, investimet e huaja direkte, aleancat strategjike, të gjitha llojet, avantazhet dhe disavantazhet e secilës prej tyre, si dhe strategjitë e marketingut ndërkombëtar të padiferencuar, të diferencuar dhe të koncentruar. Më pas, libri vazhdon tutje me pjesën e metodologjisë, studimin empirik me kompanitë kosovare, duke u përmbyllur me përfundimet, rekomandimet, studimet në të ardhmen, referencat dhe shtojcat e studimit.
Libri i Toskës është recensuar nga Prof. Dr. Jusuf Zekiri dhe Prof. Asoc. Dr. Gëzim Tosuni, me redaktor, korrektor dhe lektor, Prof. Ass. Dr. Avni Rudakun, me dizajn të Migjen Fazliut, dhe me shtëpi botuese dhe shtypshkronjë Lena Grafik në Prishtinë. Monografia e Toskës është një kontribut i veçantë, sidomos për studentët dhe profesorët e Fakultetit Ekonomik, duke e pasurur literaturën shqipe shkencore me studimin e ri.