Investimet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore po vazhdojnë jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat e Komunës së Gjilanit.
Me rreth tre kilometra asfalt po bëhen mbi 25 rrugica në rrugën qarkore dhe në fshatin Livoç i Ulët, të cilat do të lehtësojnë jetën e banorëve të këtyre pjesëve.
Për të parë realizmin e punimeve ka dalë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Shërbime Publike Kushtrim Ibrahimin dhe këshilltarin komunalë Besnik Shalën.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ky është një hap tjetër drejt transformimit.
“Gjatë javës isha në terren për të mbikëqyrur punimet që po realizohen me intensitet të lartë në komunën tonë. Vizitova fshatin Livoç i Ulët, më saktë lagjen e “Muhaxherëve”, ku po asfaltohen 15 rrugica me një gjatësi totale prej 2.8 km, me vlerë 370,000 euro”, tha Alban Hyseni.
I pari i Komunës së Gjilanit, tregoi se më pas, ka vizituar edhe punimet në rrugën qarkore, ku po asfaltohen 10 rrugica, me vlerë 213,000 euro.
“Jashtëzakonisht i lumtur që premtimet dhe zotimet tona po marrin formë dhe po bëhen realitet”, tha kryetari Hyseni.