Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Sipas të dhënave paraprake në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ky është numri i popullsisë rezidente, dhe nuk përfshihet diaspora, regjistrimi për të cilën vazhdon të jetë i hapur. Aktualisht, në diasporë janë të regjistruar rreth 600.000.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati tha se ky regjistrimi i popullsisë për diasporën do të jetë i hapur deri më 31 gusht. Ai shtoi se ka pasur bojkotim të madh të regjistrimit në komunat në veri të Kosovës.
Kastrati tha se të dhënat përfundimtare do të publikohen në fund të vitit dhe nuk pritet të dallojnë shumë nga këto paraprake.
“Një dallim me procesin e kaluar, është se gjithë procesi ka qenë digjital. Të dhënat janë grumbulluar për popullsinë rezidente, por edhe për atë jashtë Kosovës. Regjistrimi i diasporës ende vazhdon, deri më 31 gusht.
Të dhënat paraprake publikohen disa muaj pas datës së fundit të grumbullimit në terren. Këto shifra përfshijnë popullsinë e regjistruar, ato përfundimtare do të publikohen në fund të vitit. Kemi kapacitete e përvojën që në fund të vitit të publikojmë rezultatet finale që nuk pritet të ndryshojnë shumë nga këto paraprake. Mbi 99.8 e objekteve të kodifikuara, por edhe ato të reja që nuk kanë qenë në hartën digjitale. Të gjitha këto janë kontaktuar, e vizituar. Në katër komunat në veri pati bojkotim në masë të madhe, përkundër se një pjesë është regjistruar”, tha Kastrati.
Sipas të dhënave të publikuara, Mitrovica e Veriut ka 2 mijë e 346 banorë, Leposaviqi 3 mijë e 207, Zubin Potoku 758 e Zveçani 435. /Reporteri.net/