REAGIM
Unë, Asllan ASLLANI, i plagosur rëndë në ngjarjen e 19.01.2018, ku së bashku me kolegun tim Visar Morinën ishim në vendin e punës në këmbimore “Euro-Këmbimi”, sot përjetova edhe një herë zhgënjimin e thellë ndaj sistemit të drejtësisë.
Në atë ditë, katër persona të armatosur rëndë (dy me kallashnikov dhe dy me armë të shkurtra) tentuan të grabisnin pikën e këmbimit valutor. Gjatë arratisjes së tyre unë mbeta i plagosur rëndë. Njëri nga agresorët humbi kapelën brenda automjetit të vjedhur – automjet që, për ironi, ishte pronë e një polici.
Më 19.09.2021 ndodhi grabitja e transportuesit të parave në Parallovë të Gjilanit, rast që më vonë u lidh me të njëjtit persona të përfshirë në tentim-grabitjen ku unë u plagosa.
Në vitin 2024, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve për grabitje të rëndë:
• D.G
• M.L
• K.Xh
• A.B
• V.S
• N.M
Gjatë hetimeve u konfirmua se ADN-ja e të pandehurit V.S. përputhej plotësisht me provat e gjetura në kapelën e mbetur në vendin e ngjarjes – një provë e pakontestueshme dhe direkte. Megjithatë, V.S. asnjëherë nuk ka treguar se me kë ishte në tentim-grabitje, duke mos bashkëpunuar as me Hetuesinë e as me Prokurorinë.
Sot, Gjykata Themelore në Gjilan shqiptoi ndaj tij dënim prej vetëm 5 vitesh burg. Dhe pikërisht këtu fillon absurditeti i drejtësisë sonë.
Si është e mundur ky dënim, kur vetë Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon dënime shumë më të rënda?
Neni 317 – Grabitja e rëndë / Tentim-grabitja me armë
Parashikon dënime dukshëm më të larta kur vepra kryhet me armë, në grup dhe kur shkaktohen pasoja të rënda trupore.
Neni 367 – Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm
Ky nen e rëndon edhe më shumë dënimin kur arma përdoret gjatë kryerjes së veprës penale.
Neni 366 – Armëmbajtja pa leje
Dënimi minimal për këtë vepër është 3 vjet burg, edhe kur nuk kryhet ndonjë vepër tjetër. E aq më tepër kur kemi tentim-grabitje të armatosur, përdorim të armëve të gjata, automjet të vjedhur dhe plagosje të rëndë.
Pra, vetëm për armëmbajtje pa leje dënimi minimal është 3 vjet. Si është e mundur që për një tentim-grabitje të armatosur, ku kam mbetur i plagosur rëndë dhe ku ekziston provë direkte e ADN-së, Gjykata shqipton vetëm 5 vjet burg?
Asnjëherë kjo gjykatë nuk u mor me pasojat e mia shëndetësore: 6 muaj pa mundur të eci drejt, terapi të përhershme, plagë mbi 30 cm në gjoks dhe dëmtime të brendshme vetëm 1 cm larg aortës.
Gjithmonë e kam dashur këtë vend. Kam kontribuar për Kosovën në kohët më të vështira, duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së. Por sot jam thellësisht i zhgënjyer. Kjo nuk është drejtësi dhe nuk mund të quhet drejtësi.
Në fund, kam një mesazh për sistemin e drejtësisë:
Shkoni në ferr. Ndoshta aty e gjeni veten, sepse deri tani nuk e keni kuptuar fare.
Turp!









