Komplet klasa XII-12 e Zhegrës, e cila është paralele e ndarë e Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit, dështoi në testin e maturës.
Nga 363 maturantë të Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilanit, testit të maturës iu nënshtruan 355, aq ishin të pranishëm ditën e testit, prej tyre testin e kaluan 317 nxënës, ose 89 %, ndërsa 38 sish nuk kaluan ose 11%.
Nga kjo shifër prej 38 nxënësish që nuk kaluan, testin e maturës nuk e kaloi asnjë maturant i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, paralelja në Zhegës, pra komplet klasa XII-12 me 15 maturantë ngeli në test.
Kjo ishte paraleja e fundit dhe e vetme në këtë paralele të ndarë të Gjimnazit në Zhegër, pasi atje prindërit nuk duan që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në Zhegër por në Gjilan, në Gjimnazin amë.
Edhe më parë, ish-drejtori i DKA-së në Gjilan, Nazmi Musa, pati theksuar se paralelja e Gjimnazit në Zhegër nuk ishte funksionale dhe pati propozuar që nxënësit e Zhegrës të vijojnë mësimin në dy gjimnazet e Gjilanit.
Ky propozim u jetësua nga vetë prindërit, të cilët që nga viti i kaluar shkollor filluan të mos i lejojnë fëmijët në Zhegër por i sollën dhe i regjistruan në Gjimnaz në Gjilan. Madje, prindërit përmes nënshkrimit të tyre patën bërë kërkesë në DKA dhe në Gjimnazin “Zenel Hajdini” se fëmijët duan të mësojnë në Gjilan dhe jo në Zhegër.
Pra, nga ky shtator, në Zhegër nuk do të ketë gjimnazistë, por mësimin do ta ndjekin në Gjilan.
/KOHA.PRESS/