Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të hiqet ora policore në të gjithë vendin.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se ora policore nuk është më e nevojshme, për shkak të uljes së rasteve të reja dhe atyre aktive me COVID-19.
Ibrahimi ka thënë po ashtu se tani janë në pritje të një takimi të radhës me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar lidhur me këtë çështje dhe për të parë nëse do merret vendimi për heqjen e orës policore.
“Ne Asociacioni i Komunave edhe herën e kaluar kemi kërkuat qe te largohet ora policore. Jemi ne pritje edhe të një takimi të radhës me Qeverinë e Kosovës dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për të diskutuar për këtë çështje. Edhe nuk e dimë se kur do ta kemi takimin e radhës”, ka thënë ai për Reporterin.
Ibrahimi poashtu theksoi se takim nuk kanë pasur as për të bërë vlerësimin se sa janë duke u zbatuar masat dhe cili është efekti i tyre.
“Ne jemi koordinuar qe te kemi takime te rregullta dhe të bëjmë vlerësimin se sa janë duke u zbatuar masat dhe cili është efekti i tyre. Prandaj edhe kërkesë e komunave ka qenë largimi i orës policore. Ende nuk ka ndonjë vendim për këtë çështje. Dakordimi ka qenë që kohë pas kohe të mbajmë takime të rregullta dhe të konsultohemi për masat sepse ato zbatohen në nivel lokal”, deklaroi Ibrahimi.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 107.120 raste nga 582.797 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.237 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 331 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.943 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.940.