Për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shtetet perëndimore i vendosën asaj një kusht: ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu konfirmuan Ambasadat e shteteve të QUINT-it në Kosovë gjermane në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, me arsyetimin se nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, ai tha se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Po të mërkurën, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një takim online me gazetarët se ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës.
Ai tha se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar nga Kosova ta themelojë Asociacionin dhe shtoi se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, beson se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të jetë fare në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, më 16 dhe 17 maj, kur edhe pritej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës.
“Me këtë do të parandalohej një votë negative, domethënë një votë e pasuksesshme”, thotë Weber për Radion Evropa e Lirë.
Që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës – organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut – pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare.
Kurti tha të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, sepse ai është pjesë e dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, ku ka selinë Këshilli i Evropës.
Ai e arsyetoi vendimin e tij edhe me faktin se Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, të cilën dy vendet e kanë pranuar në vitin 2023.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, ka thënë më herët se marrëveshja, e cila është bërë e njohur në publik si Marrëveshja e Ohrit, është ligjërisht e detyrueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin, edhe pse nuk është nënshkruar.
Kurti, duke folur edhe pas një takimi me përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Prishtinë, më 6 maj, ka thënë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe vendosja e kushteve të rejave është në kundërshtim me votimin e 16 prillit.
Më 16 prill, deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë miratuar me shumicë votash raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, i cili i rekomandon Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës që ta pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.
Raportit pozitiv i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin me vite ka refuzuar ta zbatojë.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në raportin e Bakoyannisit thuhet se ai është çështje e brendshme e Kosovës.
Serbia, në anën tjetër, ka formuar një grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryeministri i ri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë po ashtu se do të bëjë gjithçka për ta penguar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse, siç është shprehur, shanset janë të vogla.
Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949. Ai mbron lirinë e shprehjes dhe medias, barazinë dhe pakicat në vendet anëtare.
Një nga përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të ishte qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Më pas, në vitin 2015, palët janë dakorduar edhe për parimet e Asociacionit.
Por, në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se ato nuk janë plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse mund të harmonizohen me një statut apo akt nënligjor të Qeverisë.
Kështu, Kosova ka refuzuar ta formojë Asociacionin, me arsyetimin se mund të jetë i dëmshëm për funksionimin e brendshëm të shtetit.
Shtetet perëndimore, megjithatë, këmbëngulin që të formohet ky asociacion, i cili do të duhej t’u siguronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit.
Në tetor të vitit 2023, diplomatët perëndimorë u kanë dorëzuar të dyja palëve një draft-statut për formimin e Asociacionit.
Fillimisht, udhëheqësit e të dyja vendeve kanë thënë se e pranojnë në parim, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më vonë, se nuk e pranon.
/GazetaSinjali/