Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur për modelin e ri të Asociacionit, i cili u prezantua nga liderët evropianë në takimin e 26 tetorit në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gërvalla ka thënë se nuk e di si do quhet dokumenti i ri që kanë pranuar, por pohon se e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit.
“Por ky është problemi kur edhe mediat serioze shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje të intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi biseduar në intervistën të cilën ju e citoni, kemi biseduar për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, të cilin siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene. Pra ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se pak javë më parë, kryediplomatja kosovare u shpreh se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka vdekur.
Gërvalla pati thënë se tashmë ka prioritete komplet ndryshe pas sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, në lidhje me BE-në dhe SHBA-në.
“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt dhe nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, pati deklaruar ajo për Top Channel.
Ndryshe, të enjten kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën në Bruksel në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas përfundimit të takimeve, Borrell ka thënë se “parakushtet e njërës palë kanë qenë të papranueshme për tjetrën” dhe se kjo e ka pamundësuar marrëveshjen.
Në tryezë të diskutimeve ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, si dhe një propozim i ri për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është prezantuar në Prishtinë dhe në Beograd nga diplomacia perëndimore, më 21 tetor.
Në adresime të ndara, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin, ndërsa Vuçiq ka këmbëngulur në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.