Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka dërguar mesazhe pas pakënaqësisë publike që shfaqin Avullah Hoti të martën gjatë ditës.
Haziri ka deklaruar se LDK-ja nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj.
“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit dhe ka shuar mundësitë për zgjedhje të lidershipit të ri, siç ka kërkuar Hoti.
“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët”, ka thënë Haziri.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”.
Avdullah Hoti ka kërkuar lidership të ri brenda LDK-së.
Kandidati për deputet i ka kërkuar lidershipit të partisë llogari për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilin ai e ka quajtur të pakënaqshëm.
Ish-kryeministri i Kosovës ka listuar disa arsye pse LDK-së i duhet një udhëheqje e re.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, ka shkruar Hoti të martën.
Prandaj, thotë Hoti, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri.
“Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK”, tha ai.