Familje e çmuar e të ndjerit Hetem Arifi!
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës- Dega në Gjilan, mora pëlqimin e kryetarit të Degës, që t`i shpreh pak fjalë për jetën e bujshme e dramatike të atdhetarit, të burgosurit politik, të veprimtarit për bamirësi në Gjilan e rrethinë, të aktorit të teatrit amator, veçmas të edukatorit të pasionuar për brezat më të rinj, të trimit me një jetëshkrim prej guximtari përballë politikës të zhbërjes së ortodoksisë serbe, të babait të dashur, të shokut e mikut të sinqertë, të njeriut me ndjeshmëri njerëzore e kombëtare, të penë-shkruesit dhe personalitetit në asnjë rrethanë të thyer dhe asnjëherë të përulur: Hetem Arifit-Seferit.
Nga: Mehmetali Rexhepi
Familjarë e fëmijë, miq e shokë!
Para Zotit, kombit e familjes, Hetem Arifi del fare i lehtësuar, se ajo që ia kërkoi koha, kombit tij të pushtuar, Hetemi ia fali rininë dhe shëndetin… U sakrifikua, torturua, vuajti Ai, vuajti edhe familja e tij, por Heta nuk u dorëzua, as nuk u dëshpërua: me vete kishte Zotin dhe idealin për drejtësi e liri. Këto dy rrethana e bënë të paepur.
Dy rrethana të idealit jetik jetësor të Hetës sonë të çmuar, iu përmbushën në të gjallë të jetës tij: ngadhënjimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe kthimi i tij në profesionin e shenjtë të edukimit dhe arsimimit të njomakëve tanë! Nuk e fshehte ngazëllimin e këtyre dy rrethanave… Arsimimi i brezave tanë të rinj, për Hetem Arifin ishte diçka, që i kapërcente energjitë e rëndomta të një mësuesi të pasionuar, përplot zell e përkushtim…
Në këtë pikëpamje brezat e njomë të shkollarëve tek mësuesi Hetem gjetën mësuesin model… Ai ishte mësues frymëzues, por dhe i frymëzuar e motivuar nga ata shpirtra të butë, për t`i shkruar në trajtë vëllimesh letrare mbresat që i sillnin nxënësit.
Hetem Arifi shkroi vjersha e tregime për fëmijë dhe tekste teatrale me kahe edukative. Ai ishte shpirt artisti. Ai edhe si aktor teatri i dha impulse aktrimit dramatik dhe recitalit. Në fushën letrare la vëllime poetike e proza për fëmijë.
Duke i takuar një familjeje me bindje atdhetare, Hetem Arifi, si dhe të tjerë nga kjo vatër shqiptare, u ndoq, u burgos, u persekutua, u diferencua prej pushtetit jugosllav; sikurse e tërë familja Arifi: vëllai Milazimi i burgosur politik dhe luftëtar i UÇK-s në Sllupçan, nipat Skyfteri dëshmor, Flamuri luftëtar i UÇK-s, pothuajse e gjithë familja në shënjestër… Vëllezërit e Hetemit: Brahim Arifi-Seferi me djalë, Ilmiu dhe Vasfiu, të gjithë këta kishin barrën e familjes përderisa Hetemi ishte i burgosur. E gjithë familja me sy e zemër kah liria…
Të çmuar fëmijë, tashmë të rritur, të Hetem Arifit, familjarë, vëllezër dhe të afërm të tij!
Të jini krenarë për prindin, burrin, vëllanë, shokun e mikun tonë, i cili sot po i falet amshimit! Po ashtu, edhe ne shokët, qytetarët, brezat e shkollarëve, institucionet e shtetit të Kosovës, kemi dhimbje, por ndjehemi krenarë me bëmat e Hetem Arifit, me përpjekjet për një trashëgimi shtetërore për pasardhësit!
Vëlla, Hetë prehu në dheun tënd! Prehu në paqe mësuesi e atdhedashësi ynë, Hetem Arifi!