Atik mëhalla – lagja që i dha Gjilanit emër…
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Atik mëhalla – Lagja e vjetër! Rrëfime, evokime, gjurmë, ngjarje, njerëz…
Në vazhdimin e dytë për Atik mëhallën – Lagjen e vjetër, dr. Shevqeti sjell rrëfime interesante për ngjarjet e kohës, njerëzit, për lumin Banja, për rrugën me kalldërm, për berberin e Titos, për romet e bukura, për larjen e rrobave nga ato, muzikën, etj, etj…
Ndër të tjera do të lexoni: Pse çdo shtëpi kishte hardhi rrushi? Kush ishte berberi që i shërbeu Titos gjatë vizitës në Gjilan? Kush bënte tregti me Shkup e Selanik? Kush e solli radion e parë në Gjilan? Kush ishin tregtarët më të njohur të Gjilanit? Kush i kishte pagëzuar tri vajzat e veta me shkronjën “M”…
2.
Shumë kujtime janë shtresuar në shpirtin tim Atik mëhallë. Për ty kur shkruaj, ndonjëherë po qëndroj në udhëkryq të jetës, duke menduar se cilave kujtime t’u jap përparësi. Ti, pos xhamisë Atik, teqes Halveti të Hamdishehëve, kishe medresenë, kishe mejtepin e femrave ku punonte hoxhenikja, hanmeja Binazja; kishe mullirin në lumin Banja, çezmen e njohur të Tuleshit, por edhe shtëpi të bukura si: sarajet e Hysen Millës, që i trashëgoi xha Hajredini i Maliqajve dhe Hysen Okllapi; shtëpinë e bukur të Malush agës, i cili kishte tri vajza, ndërsa vajza Kadrija ishte e martuar për Vehbiun e mulla Sherifëve; shtëpinë e mulla Mehmetit të Hamdishehëve, që ka shishe tavanin e punuar me 1882, të njëjtë sikur te Haki efendiu në Çiflik mëhalle.
Si mund të mos përmendet shtëpia e Agushagëve, ku sot është Gjimnazi, që ishte dykatëshe, e që dritaret i kishte me shufra. A mund të kaloj e mos ta përmendi shtëpinë e Mustafa agës, që kishte djemtë: Sabitin dhe Halimin. Sabiti ishte baxhanak me Baftijar Xhinollin dhe kishin bashkëshorte Zyhren dhe Rifadijen e Adilovcëve të Doberçanit. Shishe tavanet e shtepisë së xha Hajredinit në katin e dytë ende qëndrojnë në Shkollën e Muzikës, poashtu edhe tavani i bukur i bërë me punë dore në ish-shtëpine e mulla Mehmetit të Hamdishehëve. Nuk mund të mos përmenden divan-hanet e këtyre shtëpive, ku kishin jetuar Selimi, Haliti i Agushagëve, ku hanmeja Zyhra me 1978 dhezte (ndezte) cigarellëkun, dhe si hanëme ulej në minder, që kishin jastëk me jargija dhe të shtruar me jana (lloj i çilimave) me rastin e kontrollimit mjekësor që ia bëja. Nuk mund të mos përmendet edhe xha Maksuti me beretë (lloj kapele) në kokë, i cili e kishte kopshtin më të madh në Gilan, të mbjellur me lloj-lloj pemësh, ndërsa bashkëshortja e tij, Femka, para shtëpisë e kishte hijeshuar oborin me lule: xhurxhina, sheboja, karafila, sardoja…
Çdo shtëpi kishte rrush për hije, nën të cilin anëtarët e familjes pushonin dhe pinin kafen dhe çajin. Oborrin e bukur e kishte edhe Selim Orana, vëllai i Halim Oranëës, që kishte për bashkëshorte motrën e Maksutit. Këta u shpërngulën nga Gjilani në vitet e 70-ta, duke ia shitur shtëpinë Ramush Golit, ndërsa sot aty banon djali i Abidushit (berberit), Faiku.
Me 1971, me rastin e vizitës së Titos në Gjilan, ai (Abidushi) kishte qenë berber gjatë kohës sa Tito qëndroi në Gjilan. Afër shtëpisë së Selim Oranës ishte Vehbiu i Mullasherifëve, që ishte dhëndër i Malush agës dhe kishte djalë Eminin, drejtorin e “16 Nëntorit”. Malushi kishte qenë adhurues i madh i ëmbëlsirave, ndërsa Vehbiu dhe Emini ishin tregëtarë të respektuar në qytet. Hys Okllapi, në mes dy luftrave botërore, kishte qenë tregtar i njohur. Kishte bërë tregëti me Shkup dhe Selanik, ishte martuar disa herë. Kishte sjellur në Gilan gazeten “Yeni asir” nga Selaniku. Ka varrin më të gjatë, që tregon se ka qenë shtatlartë. Ramiz “lëngu”, që ishte në farefis me xha Hajredinin, kishte sjellur radion e parë ne Gilan nga Selaniku, me 1933. Kur kishte dëgjuar për herë të parë zërin e radion, e kishte gjuajtur nga ballkoni (terracë), duke menduar se po flet shejtani! Afër shtëpisë së Halim Oranës jane koretinët të familjes Canaj dhe Tërstenët. Tefik Shehu, babai i Alajderit, kishte marr dorë nga sheh Hyseni i Nasalcës dhe kishte udhëhequr deri në vdekje teqen “Sadi” në Muhaxhirë mëhallë, sikurse edhe djali i tij, Alihajdari, që ishte mësuesi im i artit në Shkollën Fillore. Tarikatit “Sadi” i takonin edhe vëllezërit Faiku dhe Mustafa, por edhe Tërstenët me Tahir babën. Ndersa, Hamdiu ishte saraç i njohur i qytetit të Gjilanit.
Ah Gilan, ah zaman, ah Atik mëhallë! Ah Gjilan, ah kohë, ah Lagje e vjetër!
A mund të flitet për ty pa e përmendur Ramiz Bashon, që ishte trupshkurtër, me mustaqe të bardha, me fes të zi, me shkopin që e mbante në duar, që e kishte bashkëshorte motrën e Hysenit nga Çiflik mëhalla. Ai bënte tregti me lëkura, me çizme, opinga, pastaj edhe me ari. Djali i tij, Maksuti, ishte ekonomist i diplomuar. Djali Abdylakderi ishte bekri (njeri zotni, me elegancë dhe autoritet) i njohur i qytetit.
Tefik Qerkezi ishte banor i kësaj mëhalle. Kishte vajzën e bukur, Eminen, e cila ishte dashuruar pa masë në profesorin tim dhe Ismalin.
Në Atik mëhallë kanë banuar edhe disa serbë: Toza Simonoviqi, që kishte mullirin elektrik dhe kafenenë e njohur “Jelen”, qe e vizitonin bekritë dhe byrokratët e qytetit, Bllaga zdrukthtari, që i kishte punuar dyert e shtëpisë së familjes sime me 1962; Ilija, i cili punonte në Kombinatin e Tekstilit “Integj”; Dragqa, Rista… Gjithsej 8 familje serbe kanë banuar e jetuar në këtë lagje. Xha Durmishi tri vajzat e veta i kishte pagëzuar me shkronjen “M”, njëra prej tyre ka punuar disa vite rrobaqepëse e njohur e Gjilanit.
Ah Gilan, ah Atik xhami! Ty të njohën edhe me emrin “Arap mëhallë”, e gjeneratat pas vitit 1945 edhe me emrin “Bajrak mëhallë”! Te “Cako mëhalla”, ku ishte ëmbëltorja “Skënderbeu” e Sadik Novosellës, banonin shumica e familjeve Nobërdaliu. Fehmi Qurri, kasap, ishte shakaxhi i njohur; Nijaziu ishte veteran i gjuetisë, aty banonte Hysen Turudija; Hys Krosi – veteran i futbollit dhe adhurues i bicikletës. Me 1957, në këtë sokak vendoset mulla Salihu nga Presheva, e këtu banonte inxhinieri Besim Ahmeti, që ishte nip i mulla Salihut, i cili ishte imam në xhaminë e Balecit.
Me kujtohet mirë ambulanca stomatologjike përballë xhamisë Atik, ku punonte dr.Ivan Kërstiqi, që më hoqi një dhëmbë, pasi kisha dhembje te padurueshme.
Në oborin e Atik xhamisë banonte djali i Jakup Slishanit, abaxhiut-Gani Gashi, që i mësonte fëmijët matematikë në Shkollën Fillore “Musa Zajmi”, si dhe Pelushi.
Rrugët ishin me kalldërme deri te lumi Banja, ku kishte shumë rosa që laheshin dhe notonin, ndërsa afër tyre laheshin rrobat nga romët, që hiqnin sandalet dhe të veshura me dimija me lule të imta, fërkonin teshat. Gjatë larjes këndonin, luanin çiçek. E kishin në gjak e traditë muzikën, kurse ne fëmijët i shikonim romet e bukura që flladiteshin në çezmen e Tuleshit, e cila ishte me formë katrore!
Ibrahim Nobërdaliu kishte fëmijë: Sabriun, Shabanin dhe Lutfijen. Lutfieja ishte e martuar te pllanalitë. Ndërsa, Ruzhdi Novoberdaliu kishte 7 fëmijë; Aliu kishte jetuar në mes dy luftrave botërore në Beograd, dhe kishte qenë rrobaqepës i njohur i Beogradit, për të cilin kishin shkruar edhe revistat e kohës. Djali i Xhavitit Rexhepit, Ruzhdiu, ishte fotografist në Gilan, e Kadrieja ishte tepër e dashuruar në një mësues te viteve te 50-ta!
Rrëfime e kujtime interesante do të lexoni në vazhdimin e tretë, pas një jave. Jeta ka kuptim kur e jetojmë pa zemërme e shqetësime të mëdha, duke pranuar të djeshmen, dhe duke jetuar të sormen e duke ndërtuar të nesërmen!
Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!
/Autor: Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp /redaktoi: N.Buzuku/