Administrata Tatimore e Kosovës ka raportuar rritje të hyrave tatimore për dy muajt e parë të vitit 2025, duke mbledhur gjithsej 184.3 milionë euro.
Kjo shifër shënon një rritje prej 7.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ose 12.3 milionë euro më shumë.
Sipas ATK-së, suksesi i mbledhjes së të hyrave tatimore është rezultat i angazhimit të menaxhmentit dhe stafit, si dhe i reformave të ndërmarra për të përmirësuar sistemin tatimor.
“Gjatë vitit 2024, institucionet ndërkombëtare vlerësuan përpjekjet e ATK-së, ndërsa rezultatet e këtij viti konfirmojnë trendin pozitiv”, thuhet në njoftimin e ATK-së në Facebook.
Administrata synon të vazhdojë me intensifikimin e mbikëqyrjes, përmirësimin e mekanizmave të mbledhjes së tatimeve dhe zbatimin e reformave që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore. Gjithashtu, do të implementohen projekte të reja për të rritur disiplinën fiskale dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë.