Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka reaguar pas lajmit se drejtori i kësaj administrate në Gjilan është arrestuar nga Policia e Kosovës, duke thënë se diçka e tillë nuk e është vërtetë, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi për media ATK njofton opinionin publik se Drejtori Regjional i ATK’së në Gjilan z.Alban Qerimi është në vendin e tij të punës, sipas përgjegjësive që ka.
“Si institucion ende nuk kemi pranuar asnjë informacion zyrtare nga institucionet e zbatimit të ligjit, në momentin që do të jemi të njoftuar zyrtarisht do të ju informojmë në kohë. ATK siguron opinionin publik se pas njoftimit zyrtar nga organet përkatëse, do të ndërmarr të gjitha veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe arrestimin e një inspektori të ATK’së e ka konfirmuar Policia.
“Njësitet policore të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit-Prishtinë pas disa veprimeve hetimore në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me 17.03.2021 kanë arrestuar njërin nga dy të dyshuarit meshkuj kosovar-zyrtar të ATK-së, nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur me lart. Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llap-top dhe disa dokumente zyrtare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari i arrestuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.
Arrestimi i tij është konfirmuar nga Prokuroria e Gjilanit.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan, është ndaluar një inspektor i ATK-së, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit, ndërsa drejtori i ATK-së është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.