Administrata Tatimore e Kosovës është e përkushtuar që të përmirësojë qasjen e saj në menaxhimin e rreziqeve të përmbushjes tatimore, për të siguruar që përpjekjet për përmbushje të adresojnë rreziqet kryesore, që e përbëjnë pjesën më të madhe të hendekut tatimor.
Plani për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë po vazhdon të implementohet, ku përmes këtij plani ATK do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas legjislacionit tatimor.
Me fokus të veçantë, do të identifikohet veprimtaria ndërtimore, siç është ndërtimi i lartë dhe i ulët, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si: muratorët, armaturë punuesit, betonime, gërmimet e dheut, punuesit e kulmeve, prodhimi dhe montimi i dyerve dhe dritareve, elektricistët, instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, montuesit e parketit/laminatit, montuesit e qeramikës, suvatuesit – fasada, prodhimi dhe montimi i olluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.
Në fokus të veçante po ashtu do të jenë edhe personat fizik që kanë dhënë token për ndërtim (kompensimet, banesa, lokale, parkingje) dhe ndërlidhja me obligimin e tyre tatimor.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.