Administrata Tatimore e Kosovës, mbështetur nga programi i USAID-it për Qeverisjen Ekonomike, sot ka mbajtur seminarin online me tatimpagues, në të cilin ka prezantuar temat: Deklarimi Tremujor dhe Vjetor për Tatim në të Ardhura Personale, Tatim në të Ardhura të Korporatave, si dhe Ortakëritë.
Më konkretisht, përmes këtij seminari janë ofruar sqarime të detajuara lidhur me Deklarimin dhe Pagesën e Tatimit në të Ardhura Personale dhe të Korporatave si nga Bizneset e vogla, ashtu edhe nga Bizneset e mëdha.
Në këtë seminar janë ofruar edhe shembuj për të bërë më të mundur të kuptuarit e drejtë të të gjitha temave të lartcekura duke bërë deklarimin e tatimeve direkt nga Sistemi Elektronik EDI.
Interesimi për ta ndjekur seminarin, i cili është transmetuar live përmes platformës Zoom, si dhe faqës zyrtare të ATK-së në facebook ishte shumë i lartë, ku të kyçur në platformë ishin mbi 1,400 pjesëmarrës.
Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesi i seminarit, të cilin e bëri Drejtori i Departamentit për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve në ATK, z. Sami Salihu.