Në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Bullgari, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut, ministri Bujar Osmani, Oliver Spasovski dhe Bllagoj Boçvarski kanë mbajtur konferencë për media.
“Kontrolli i fundit teknik i autobusit është kryer më 5 tetor 2021, ndërsa procedura hetimore do t’i jep edhe përgjigjet e të gjitha çështjeve të hapura”, deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski theksoi që organizimi dhe sjellja e viktimave do të mbulohet nga shteti, derisa ministri Osmani sqaroi rrjedhjen e procedurave për bartjen e trupave në vend,
“Pas marrjes së informacioneve nga Ministria për Punë të Brendshme, për automjetin e djegur, konstatuam se e njëjta nuk është paraqitur nga ana e pronarit në bazë të Ligjit për transportin e udhëtarëve, dhe për këtë automjetin nuk e kemi në bazën elektronike të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve”, deklaroi ministri i transportit, Bllagoj Boçvarski, duke sqaruar që në bazë të këtij Ligji, pronari është i detyruar që brenda 15 ditëve të njoftojë Ministrinë për të gjitha ndryshimet.
Boçvarski sqaroi që inspektimi i automjeteve për transport të udhëtarëve është kompetencë e Inspektoratit Shtetëror, për çka Qeveria ka angazhuar Inspektoratin të bëjë kontroll në këtë kompani.
“Me propozim të Inspektoratit Shtetëror për Transport, Ministria mund të marrë licencën e punës së kompanisë”, deklaroi Boçvarski, pasi deri më tani ka bartur udhëtarë pa certifikatën e licencës. Ai shtoi që “Ministria për Transport dhe Lidhje ka filluar procedurën për marrjen e licencës për punë të kompanisë”.
Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në Bullgarinë perëndimore, pranë fshatit Bosnek, në jugperëndim të Sofjes, në autostradën “Struma”. Autobusi mbante targat e Maqedonisë së Veriut.
Autobusi është i kompanisë “Besa Trans – Shkup” e regjistruar në fshatin Rashçe, komuna e Sarajit./Portalb/