Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë një lloj sallami të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes, pasi sistemi europian i alarmit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF) ka raportuar praninë e një trupi të huaj në produkt.
Sipas njoftimit të AKU-së, bëhet fjalë për sallamin “SALAME GALBANETTO G230 c.a” (Sallam Galbanetto), i njoftuar nga autoritetet italiane si produkt me nivel serioz rreziku për shëndetin.
Të dhënat e produktit të njoftuar janë:
Emri: SALAME GALBANETTO G230 c.a (Sallam Galbanetto)
LOT: L.264173
Data e skadencës: 23/10/2026
Numri i referencës: 12364615
Referenca RASFF: 2026.7652
Kategoria: Mish dhe nënprodukte
Shteti njoftues: Itali
Niveli i riskut: Serioz
Paketues/eksportues: Conad
Importues: Conad Albania
Alarmi është aktivizuar pas evidentimit të pranisë së një trupi të huaj në produkt, çka ka çuar në njoftimin përmes sistemit RASFF.
AKU u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë ende në posedim që të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes.
Autoritetet kanë publikuar të dhënat identifikuese të produktit për të mundësuar verifikimin e tij nga konsumatorët dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin.









