Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka folur për autostradën Prishtinë-Gjilan, e cila ndonëse ishte premtuar të ndërtohej këtë vit, ka mbetur ende kantier ndërtimi me gropa e lloç.
Aliu përsëriti se ky projekt do të përmbyllet sivjet.
“Një pjesë e madhe e projekteve nga e kaluara, e që ka qenë si litar nëpër këmbë për ministrinë tonë, do të arrijmë më në fund t’i përfundojmë. Për mua, kjo mbase është ajo që nuk kam dashur shumë të merrem, por që është dashtë të merrem, dhe që jam i gëzuar më shumë se për shumë projekte të tjera, që do të arrijmë t’i përmbyllim përfundimisht projektet me shumë telashe siç është autostrada Prishtinë-Gjilan”, tha Aliu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Për këtë çështje, foli në mbledhjen e Qeverisë edhe kryeministri Kurti. Kurti e vendosi këtë projekt sërish në prioritetet e Qeverisë.
“Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Drenas-Skënderaj pritet të finalizohen sivjet”, tha Kurti, duke vlerësuar se 2024 do të jetë “vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja”.
Autostrada e Gjilanit ka filluar të ndërtohet në vitin 2018. Në korrik të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar që kjo autostradë do të hapet në vitin 2023.
“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”, kishte shkruar Kurti në Facebook më 21 korrik 2023. /Reporteri.net/