Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur identifikimin dhe regjistrimin e qenve me mikroçip në tetë Komuna të Kosovës.
AUV-i u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës mbajtës të qenve, që t’i regjistrojnë dhe t’i pajisin me mikroçip dhe dokumentacion mbi pronësinë.
Sipas AUV-it, të gjitha shërbimet ofrohen falas.
“Të gjitha shërbimet ofrohen falas, krejt çfarë ju duhet të bëni është: ta dërgoni qenin tuaj tek veterinari me i afërt i kontraktuar. Përveç identifikimit dhe regjistrimit, AUV ofron falas edhe kastrimin/sterilizimin e qenve, për të gjithë pronarët e interesuar të marrin këtë shërbim por nuk është obligative”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, nga AUV-i kanë thënë se procedura e vendosjes së mikroçipit është shumë e thjeshtë dhe aspak e dhimbshme për kafshën.
“Është obligim ligjor për çdo pronar të kafshës shoqëruese (qen) ta bëjë identifikimin dhe regjistrimin e kafshës së tij/saj. Përderisa ju jeni pronarë shteti ju mundëson qe ta legalizoni përmes një mikroçip në trup, i cili ndërlidhet me të dhënat e pronarit, të cilat ruhen në Regjistrin Qendror të Kafshëve, i cili menaxhohet nga AUV.Procedura e vendosjes së mikroçipit është shumë e thjeshtë dhe aspak e dhimbshme për kafshën. Mikroçipi injektohet përmes gjilpërës nën lëkurën e kafshës, ashtu si vaksinat, dhe nuk ka nevojë për përdorim të anestetikëve për t’u aplikuar”, thuhet më tej në njoftim. /Teve1.info/
Subjektet veterinare të kontraktuara që ofrojnë FALAS shërbimin e identifikimit dhe regjistrimit si dhe të kastrimit/sterilizimit të qenve me pronar në 8 komunat e para.