Prishtinë, 28 Nëntor 2026
AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të mishit të bluar “Qobani” dhe përshutës së gjedhit të tregtuara nga VIVA FRESH
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë ushqimore dhe në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në objektin e përpunimit të mishit të operatorit VIVA FRESH SH.P.K., në Gushtericë të Poshtme, Komuna e Graçanicës.
Rezultatet e analizave të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë konfirmuar mospërputhje me kriteret mikrobiologjike në dy produkte të mishit, si në vijim:
Mish i bluar Premium “Qobani” – loti nr. 13112147. Sipas raportit të testimit nr. 5552/2026, në tri nga pesë njësitë e testuara është konstatuar tejkalimi i vlerës referuese prej 50 CFU/g për bakterin Escherichia coli, me vlerën më të lartë të regjistruar prej 153 CFU/g. Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë të evidentuar gjatë inspektimit, furnizuesit e lëndës së parë janë Delta M dhe Buquku – Pejë.
Përshutë gjedhi – loti nr. 1211695. Sipas raportit të testimit nr. 5551/2026, është konstatuar prania e bakterit Listeria monocytogenes, në kundërshtim me kriterin mikrobiologjik që përcakton mungesën e këtij bakteri në 25 gramë produkt. Sipas dokumentacionit të inspektimit, furnizuesi i lëndës së parë është Delta M.
Rezultatet për të dy produktet janë klasifikuar si të pakënaqshme, në përputhje me Rregulloren Nr. 27/2012 për Kriteret Mikrobiologjike në Produktet Ushqimore dhe Rregulloren Nr. 09/2018 për plotësimin dhe ndryshimin e saj.
Në vijim të këtyre konstatimeve, AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produkteve të loteve përkatëse. Deri më tani janë tërhequr dhe izoluar 35,7 kg mish i bluar dhe 37,5 kg përshutë gjedhi. Sasia e përgjithshme prej 73,2 kg do t’i nënshtrohet procedurës së asgjësimit nën mbikëqyrjen zyrtare të inspektorëve veterinarë.
Për identifikimin e burimit të kontaminimit, kontrollet e mëtejshme duhet të shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë verifikimin e origjinës së mishit, gjurmueshmërinë e lëndës së parë, kontrollet te furnizuesit, si dhe respektimin e kërkesave higjieno-sanitare gjatë përpunimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve.
AUV njofton konsumatorët që kanë blerë produktet me numrat e loteve të sipërpërmendura të mos i konsumojnë ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.










