Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen e të gjitha produkteve “Wudy” në Kosovë.
Përmes një komunikate, AUV ka bërë të ditur se kjo është bërë me qëllim parandalimin e konsumimit nga konsumatorët dhe mos shkaktim hutimi gjatë blerjes.
“Krijimin e kushteve për hulumtim verifikim të rastit me të lehtë, gjithmonë duke mbajtur konsumatorin të mbrojtur. Urdhëri për tërheqje të tërësishme të gjitha produkteve nga ky brend vlenë deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftim.
Tutje, Agjencia bën të ditur se ende nuk kanë pranuar lajmërim nga sistemi RASSF por mbi bazën e dyshimit, kanë hulumtuar dhe kanë arritur të identifikojnë prezencën e disa lotëve të këtij prodhimi.
“Kosova nuk ka pranuar ende lajmërimin nga sitetmi RASSF por mbi bazën e dyshimit të ngritur, kemi zhvilluar hulumtim të shpejtë dhe kemi arritur të identifikojmë prezencën e disa lotëve të këtij prodhim në vendin ton. Menjëherë ka pasur ndalesa për tregtim. Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë! Nëse i gjeni në shitje lajmëroni autoritetin”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Ndryshe, ky hulumtim u bë pas kërkesës së teve1.info lidhur me këto produkte pasi që të njëjtat në Shqipëri u bë thirrje të mos përdoren.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar të mërkurën për konstatimin e një bakteri të rrezikshëm në disa prodhime të markës së salçiçeve Wudy që shiten në Shqipëri.
AKU bëri të ditur se bëhet fjalë për bakterin “Listeria monocytogenes”, i cili nëse futet në sistemin tretës mund të shkaktojë një mori problemesh.
Tutje, Autoriteti njofton po ndërmarrin masat përmes kontrolleve në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55 duke përbërë risk me ndikim serioz për shëndetin e njeriut, në produktin. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu”, njoftoi AKU.
Po ashtu, është bërë thirrje nga konsumatorët që mos t’i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë ato pranë subjekteve ku janë blerë./teve1.info/