Asamblistja e LDK-së në Gjilan, Gresa Avdiu, ka ngritur shqetësimin për çmimin më të lartë të bukës në këtë komunë – 60 cent për një bukë, 10 cent më shumë se në shumicën e komunave të Kosovës.
Në një kohë kur paralajmërohet edhe rritje tjetër për shkak të shtrenjtimit të rrymës, institucionet lokale heshtin.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shumë për nevojën më bazike të përditshme.
Statusi i plotë:
Në Gjilan buka kushton 60 cent, 10 cent më shumë se në shumicën e komunave të Kosovës. Dhe tani po paralajmërohet rritje tjetër për shkak të shtrenjtimit të rrymës.
Në një kohë kur shumica e komunave e mbajnë çmimin e bukës 50 cent, në Gjilan qytetarët paguajnë më shumë për nevojën më bazike të përditshme.
Askush nga institucionet lokale nuk ka dhënë sqarim pse ndodh kjo në Gjilan?!
– A paguajnë në Gjilan më shumë furrëtarët për rrymën, miellin e grurin, në krahasim me komunat tjera?
– A është qeraja e tyre më e lartë se në kryeqytet?
– A mungon mbikëqyrja e tregut nga ana e Komunës?
– A është bërë ndonjë analizë e kostos reale të prodhimit të bukës?
E rëndë është heshtja, sepse për qytetarët kjo heshtje kushton çdo ditë.
Dhe tani, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, qytetarët duhet të përgatiten për një tjetër goditje; buka mund të shtrenjtohet sërish.
Kush do ta mbrojë qytetarin në këtë krizë të heshtur?
E kemi për detyrë të pyesim dhe të kërkojmë llogari. Për bukën, për jetesën, për dinjitetin e njerëzve tanë.