Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar me shumicë votash buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 43,586,882 euro.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, ka paraqitur ndarjen e mjeteve buxhetore dhe investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm.
Sipas ndarjes buxhetore, 21,248,447 euro janë planifikuar për arsim, 5,383,602 euro për shëndetësi, ndërsa 6,877,785 euro janë ndarë për investime kapitale.
Komuna ka planifikuar gjithashtu 6,158,770 euro të hyra vetanake për vitin 2027.
Në kuadër të investimeve kapitale janë paraparë 500,000 euro për rrugët në zonën e parë dhe të dytë të qytetit, 399,000 euro për infrastrukturën rrugore në Fidanishtë 2, 300,000 euro për vendosjen e tabelave digjitale në shkolla, si dhe 280,000 euro për fazën e parë të varrezave të reja.
Buxheti për vitin 2027 është 1,657,957 euro më i lartë se buxheti i miratuar për vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 3.95 për qind.
Kuvendi Komunal ka shqyrtuar gjithashtu vlerësimet e hershme buxhetore për vitet 2028 dhe 2029./Radio Star/










