Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë është hapur Ekspozita personale e artistit të madh gjilanas Avni Xh Behluli e titulluar “Miti për jetën”, ekspozitë kjo që është vizituar nga shumë artdashës, të cilët kanë çmuar lart krijimtarinë e Avni Behlulit, emër i njohur i artit kosovar, i cili me veprat e tija ka shpërthyer edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë pjesëmarrës me veprat e tija në galeritë më të njohura botërore.
Akademik Rexhep Ferri, ka theksuar se Avni Behluli i ka theksuar se me shpirtin e tij krijues i ka gdhendur, vizatuar artistikisht e i ka skalitur ëndrrat e tija dhe se me kalimin e kohës Avni Behluli që prej veprës së tij ndër të para, dora e shtrirë në rrugë, ai ka krijuar shumë vepra të tjera të reja të mrekullueshme për të ardhur deri te “Miti për jetën”.
“Miti për jetën më doli si lindja e diellit. Tani po mendoj se aty takova mbretin dardan dhe mbretëreshën dardane. Si humbës të lumtur. Si harrim antik. Me luftëra e humbje dhe fitore të të gjitha kohëve », ka thënë akademik Rexhep Ferri, që ka shtuar se Avni Behluli me shpirtin e vet krijues na ofron këtë botë pak a shumë të harruar si të ishin ngjarje të ditëve tona.
Mr. Bislim Aliu, piktor e kritik arti, ka thënë se Avni Behluli hynë në radhën e artistëve me kreativitet rezonues, ai është krijues produktiv bënë pjesë edhe në grupin e artistëve me kreativitet idealist e shumëdimensional.
Ai Behlulin e ka cilësuar si një krijues serioz, solid, domethënës dhe tejet sensitiv, i cili përgjatë krijimtarisë së tij më se tridhjetëvjeçare gjithnjë ka ngritur cilësinë e tij kreative dhe çdo vepër e tij ka veçoritë e veta, ngase në to ka poetikë, ndjesi, porosi, por ka edhe filozofi. Behluli është i gjithanshëm, ai është vizatues, skulptor dhe grafik e kjo ekspozitë është e 23 personale e tij.
« Në këto vizatime të prezantuara me intimen më të lartë shpirtërore, vërehet qartë poetike rezonuese e kreativitetit, në të cilën me përpikëri është zbatuar strukturimi dialektik i formave të varguara », ka theksuar mr. Bislim Aliu dhe se punimet e Behlulit kanë një simbolikë të lartë kreative, por se në vete kanë edhe simbolikën bashkëkohore, e cila është e lidhur ngushtë me rrëmetin e kohës.
Grafikat e Behkulit në këtë ekspozitë janë të realizuara në teknikën gjilpërë e thatë, ku vërehet edhe përkushtimi i lartë grafikor e me këto vepra Avni Behluli tregoi artin e tij të mirëfilltë, tregoi shpërfaqjen e tij, shpirtëroren e tij dhe të gjitha këto paraqesin shpërfaqje të lartë realizuese, arritje të larta drithëruese, por edhe intimen rrëfimtare të kreativitetit artistik të Avni Behlulit.
Avni Behluli, mjeshtër i veprave me simbolikë të lartë kreative
Ndani këtë artikull