Prokuroria Themelore e Prizrenit nuk ja u ka dorëzuar prindërve të Astrit Deharit raportin përfundimtar të ekspertizës për vdekjen e Astrit Deharit që është realizuar nga Instituti Zviceran.
Prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari, së bashku me bashkëshorten e të ndjerit Artën dhe avokatin e tyre Tomë Gashi kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me këtë çështje.
Avni Dehari ka deklaruar se i ka shkruar një e-mail Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit Admir Shalës që të caktojë një termin në mënyrë që familja të mund ta pranojë raportin origjinal të ekspertizës për rastin e vdekjes së birit të tyre.
Por, sipas tij, nuk ka marrë një përgjigje.
“Ne sot kemi qenë në Prizren pa ndonjë termin edhe pse kam kërkuar termin, por kryeprokurori i Prizrenit [Admir Shala] nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë lajmin se raporti ka përfunduar, jemi sugjeruar prej ekspertes të Institutit të Llozanës që t’i kërkojmë personat kontaktues të tyre për raportin – këshilltares së Kryeprokurorit të Kosovës, Merita Gashi”.
“Në telefonin që u paraqita, e mori administratori ku unë kërkova prej tij që ta kontaktojë kryeprokurorin lidhur me raportin, por ai në mënyrë shumë arrogante më tha ‘nuk e kam numrin’. U detyrova t’i them që të mos më thotë ‘nuk e kam numrin’, por le të më thotë se ‘nuk ta japë kontaktin’ sepse atë punë e ka, që ta krijojë kontaktin”.
“Më pas, mu arsyetua se gjoja është zëvendësadministratori që edhe ajo nuk qëndron sepse edhe zëvendësi i administratorit do të duhej ta kryente punën e zëvendësit dhe jo t’i thotë palës që nuk e kanë numrin”.
“Gjatë ditës, më shkruan Merita Gashi një e-mail dhe më thotë që për raportin drejtohu te Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala”.
“I dërgova menjëherë një e-mail dhe kërkova që të më caktojë një termin si anëtarë të familjes. Ja shkrova numrin e telefonit, adresën e e-mailit dhe i thashë që të më caktojë një termin që të shkojmë ta marrim një raport në origjinal. Nuk ktheu asnjë përgjigje”.
Avni Dehari, në këtë konferencë për media, ka treguar më shumë detaje lidhur me takimin që sot familja e Astrit Deharit e ka pasë me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit [Admir Shala].
“Sot ishim atje pa termin, na pranuan brenda dhe ai [Admir Shala] menjëherë filloi të na mbajë ligjëratë se gjoja mediat dhe avokati po e politizojnë rastin”.
“Kur i kërkova që të na japë raportin origjinal ose kopjen e raportit origjinal, më tha ‘nuk e kemi’. Njerëzit që i kanë duart e përlyera dhe e kanë vrarë Astritin mundohen t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Këta të Prishtinës më thonë ‘shko në Prizren’, ai i Prizrenit më thotë ‘shko në Prishtinë’”.
“Si t’i besoj një administratori të këshilltares së Kryeprokurorit të Kosovës që thotë s’e kam numrin e Kryeprokurorit? Si t’i besoj Kryeprokurori të Prizrenit që thotë se e kam dërguar raportin në Prishtinë dhe ai nuk e paska një kopje origjinale në zyrë? Nuk ka normë juridike që e arsyeton”.
“Ne jemi detyruar për shkak të mosbesimit që e kemi pasë në institucionet e drejtësisë në Kosovë të kërkojmë ekspertë të jashtëm. E mira do të ishte që ekspertiza të bëhej këtu dhe jo diku tjetër, por s’kemi pasë besim sepse kanë shkelë të gjitha procedurat”.
Babai i të ndjerit Astrit Dehari ka thënë se për familjen kjo “është vrasja e dytë e Astritit”, njofton Klan Kosova.
“Sikur të na kishin ftuar si familje kur ka ardhë raporti dhe sikur ta hapnim së bashku me ata raportin dhe të na dorëzonin një kopje në origjinal dhe më pas le ta përkthejnë. Ne si familje nuk kemi nevojë për përkthim, por nëse duhet si procedurë le ta përkthejnë”.
“Nuk duan ta bëjnë transparent procesin, duan t’i fshehin faktet dhe për neve si familje ky akt është vrasje e dytë për Astritin. Vrasja e parë ka ndodhë më 5 nëntor 2016 dhe vrasja e dytë po ndodh tash”.
Edhe bashkëshortja e të ndjerit, Arta Dehari, ka thënë se mosdorëzimi i raportit përfundimtar të ekspertizës që është kryer nga Instituti Zviceran është e papranueshme për familjen.
“Kur ne thamë që është dashur të njoftohemi paraprakisht së paku me një e-mail në mënyrë zyrtare prej Prokurorisë Themelore të Prizrenit për kohën kur ka arritur raporti, ata thanë që raporti ka disa ditë që ka arritur”.
“Ashtu si e ka bërë avokati Tomë Gashi publike datën kur i është dërguar e-maili Institutit Zviceran – më 8 tetor – dhe ata i kanë kthyer përgjigje avokatit që raporti ka arritur edhe një javë më herët”.
“Arsyeja e kryeprokurorit Admir Shala ishte se raporti nuk ka ardhë, por është vonuar aeroplani një javë. I kam thënë që së paku është dashur të na lajmërojnë me e-mail dhe që ne të shkonim bashkë me ta në Ambasadën e Zvicrës që ta merrnim bashkërisht raportin dhe që raporti të hapej para neve dhe tyre që gjithçka të jetë korrekte”.
“Ai u mundua që t’i ikë kësaj dhe pretendoi se ligjërisht nuk mund të na japë raportin sepse, sipas tij, raporti duhet të shpërndahet vetëm në gjuhë zyrtare. Kur i kërkova një kopje të raportit, tha se nuk e ka që për mua është absurde”.
“Për mua është shumë e papranueshme krejt kjo çfarë po ndodhë këto ditë”.
Në ndërkohë, nëna e Astritit, Xhemile Dehari ka thënë po ashtu në këtë konferencë për media se familja po e kërkon raportin përfundimtar origjinal të ekspertizës për vdekjen e të birit, që është kryer nga Instituti Zviceran – dhe jo të përkthyer.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka ripërsëritur atë që ka thënë tash e sa kohë – që janë të bindur dhe kanë fakte se Astrit Dehari është vrarë.
“Atë që kryeprokurori ose kushdo që ka thënë për mua si avokati i familjes Dehari është krejtësisht e vërtetë. Unë, sigurisht, që në çdo shkresë dhe deklaratë që kam bërë ka qenë pjesërisht politike sepse ne jemi të bindur që Astrit Dehari është vrarë më 5 nëntor të vitit 2016”.
“Unë kam qenë edhe në obduksion dhe i kam parë plagët e tij që kanë qenë vetëmbrojtëse. Ko është përshkruar edhe nga raporti i ekspertëve të pavarur. Unë këtë rast e kam dërguar edhe në Hagë ku ekspertët ndërkombëtarë kanë vërtetuar që në trupin e tij ka pasë plagë tepër të rënda që e vërtetojnë që ai ka qenë i vrarë”.
“Arsyeja pse ka qenë i vrarë Astrit Dehari ka qenë po ashtu politike për shkak që ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje”.