Shkruan: Avni Rudaku
Kushtetuta e Kosovës si akti më i lartë juridik pas Pakos së Ahtisarit, e përcakton me nenin 8, se “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve.”
A janë të ngjashme laicizmi që përmendet në kushtetutë me sekularizmin? Jo. Dallojnë në definicion: laicizmi është mungesë e ndikimit dhe përfshirjes së fesë në shtet, ose dobësim i ndikimit të fesë në shtet, kurse sekularizmi është kur shteti nuk lidhet me asnjë lloj religjioni, madje me raste, bëhet afetar, antifetar dhe ateist. Në promovim: laicizmi nuk promovon asnjë fe, as për mirë, as për keq, kurse sekularizmi promovon aktivisht shkencën, por kurrsesi religjionin. Gjersa laicizmi dobëson ndikimin e fesë në çështjet publike e shtetërore, sekularizmi e promovon shkencën dhe vetëm botën e tashme, duke e kundërshtuar fenë dhe botën tjetër, ahiretin, spiritualitetin.
Kosova nuk është shtet sekular, por laik. Do të thotë, nuk e kundërshton aktivisht fenë, por vetëm sillet asnjanës ndaj secilës fe, por me ligje, i jep përparësi njohëse zyrtare disa bashkësive fetare tradicionale si islame, katolike, ortodokse… Për festa, krerët e shtetit vizitojnë BIK-un, Ipeshkvinë e Kosovës etj. Urojnë për festa zyrtare. Ka ligj për festa fetare si ditë pushimi: festat islame, katolike dhe ortodokse.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, ka nënshkruar vendim zyrtar për lirim të zyrtarëve të komunës, 1 orë para orës së rregullt, për shkak të agjërimit islam. Këtë e kanë bërë edhe kryetarët nga qeverisjet e kaluara, që do të thotë praktikat e tilla nëse janë kundërkushtetuese, i kanë bërë edhe kryetarët e mëhershëm, e jo veç kryetari aktual.
Gjithashtu, ka disa variante të sekularizmit në botë: fundamentalist ose radikalist, që kundërshton rreptë fenë në institucionet publike; sekularizëm human, që nuk kundërshton hapur fenë, por mbetet neutral; sekularizmi liberal i respekton ndjenjat fetare, i mirëkupton, por nuk i jep përparësi asnjë fesë, qoftë edhe nëse në atë shtet shumica e popullsisë i takon fesë islame apo ndonjë feje tjetër; dhe sekularizmi si pseudo, i rrejshëm, sepse në një anë shteti thotë se është neutral, kurse në anën tjetër favorizon ndonjë fe të caktuar.
Kosova luhatet nganjëherë edhe në pseudosekularizëm, edhe në sekularizëm fundamentalist, edhe në human e liberal.
Kryetari i Gjilanit me vendimin për agjërimin bashkë me paraardhësit e tij komunalë, e ka shkelur kushtetutën, por jo sepse Kosova është shtet sekular, por edhe pse është shtet laik. Sidoqoftë, Kosova anon më shumë kah forma e sekularizmit human e liberal, sesa e sekularizmit të ashpër të ndarjes së fesë nga shteti dhe nuk e lufton fenë si prapambeturi.
Kryetari i Gjilanit e ka bërë për simpati ndaj ndjenjave fetare të zyrtarëve komunalë, por tash hapet dera edhe për pjesëtarët e feve të tjera, pasi është shtet neutral, duke mos i dhënë përparësi asnjë feje.
E ka shkelur kushtetutën, sepse praktikisht shteti e komuna rrinë larg çdo religjioni. Nëse do të interpretohej në Gjykatë Kushtetuese, konstatohet se e ka shkelur kushtetutën. Por nëse flasim privatisht, shkencërisht, sekularizmi në Kosovë është i variantit të butë, jo atij francez etj. Sekularizmi e sheh fenë si prapambeturi, joshkencore, kurse laicizmi as nuk e sheh prapambeturi, as emancipim. Gjersa sekularizmi ka qasje pozitiviste, ku shkenca është i vetmi orientim, përpiqet ta bëjë qytetarin, nxënësin, studentin sa më shkencor, afetar, madje në disa shtete edhe antifetar e ateist, shteti laik si Kosova, përpiqet ta bëjë qytetarin më shkencor, por jo afetar, antifetar apo ateist. Në disa variante, sekularizmi dhe laicizmi distancohen edhe nga ateizmi. P.sh., shteti më sekular, ka qenë Shqipëria e Enver Hoxhës! Shtet zyrtarisht ateist. Antifetar. Edhe ajo ka qenë tepër çnjerëzore, antidemokratike. Komunizmi, opiumi i Karll Marksit, janë në esencë antifetarë. Maoizmi e ka sulmuar edhe konfuçianizmin, por autoritarizmi i sotëm kinez kujdeset për konfuçianizmin.
Kryetari i Gjilanit duhet ta ndalë praktikën e tillë, sepse gjersa kemi këtë kushtetutë, bën shkelje kushtetuese, kurse në popull merr shumë përkrahje. Pra, Kryetari i Gjilanit nuk është as sekularist, as laicist, por sikur të gjithë politikanët e tjerë, i ri populist. Aty ku beson se merr përkrahje e vota, e përmend fenë, e promovon dhe e inkurajon. Shumica e politikanëve koketojnë me imamë, priftërinj, pastorë, berberë, taksistë, aktorë, reperë, yje sociale, jo pse janë fetarë, ose reperë a futbollistë, ose pse duan ta prishin shtetin laik e sekular, as ta bëjnë Kosovën teokratike, por vetëm për shkak të votave. Gjersa LDK-ja dhe AAK-ja kanë koketuar në nivel nacional më shumë me katolikët, kurse në nivel lokal, këtë rregullë e ka thyer sidomos ish-Kryetari Lutfi Haziri, pasi merrte shumë vota nga elektorati islam, me ndikimin edhe të imamëve lokalë, është afruar kryesisht me islamin, por ka pasur raporte shumë të mira edhe priftërinjtë katolikë. Në nivel nacional, PDK-ja dhe LVV-ja janë përafruar më shumë me islamin.
Prandaj, partitë e mëdha nuk merren me teokraci, por me populizëm, ndonëse, me vendime si për lirim nga puna për shkak të agjërimit, shkelin kushtetutën, por marrin mbështetje të madhe nga opinioni publik. Fetarët janë shumë aktiv në mediet sociale, si dikur të rinjtë e LVV-së, si dy komunitetet më aktive me komente në mediet sociale. Kjo ka bërë që edhe shumë shkrues të hezitojnë të japin kritika për çdo gjë rreth fesë, sepse ballafaqohen me shumë komentues, që mund të fyejnë shumë rëndë.