Shkruan: Avni Rudaku
Diçka për Lutën
Lutfi Haziri, i njohur me emrin përkdhelës herë “Luta”, e herë “Haxhi Luta”, po e drejton Komunën e Gjilanit për kohë të gjatë. Si e qeverisi Gjilanin? Le të flasim disa çështje për të e rreth tij si profil, por edhe si kreu i qytetit:
1. Duke e ditur se projektet financohen nga Qeveria lokalisht edhe me baza provinciale, nga fuqia politike e kryetarit në nivel republikan, fuqia e individëve në atë rajon etj., kryetari Haziri është ndër politikanët më të fuqishëm të Anamoravës në nivel republikan. Kjo me përllogaritje interesash lokale dhe duke e ditur se si shpërndahet buxheti në komuna, fuqia e Hazirit është e mirëseardhur për Gjilanin. Nëse flisni si gjilanas, në kuptimin lokalist – pa vetëdije të lartë qytetare e mbarështetërore. Politikat buxhetore të varura se nga kush qeveriset komuna dhe prej nga është kryeministri apo vartësit e tij janë politika të dobëta. Sidoqoftë, gjersa të jetojmë në këtë mentalitet, profili i Lutës, na duhet lokalisht!!! Imagjinojeni po të ishte gjallë heroi Agim Ramadani i këtij rajoni, do të merrte dukshëm më shumë investime, sikurse fuqia e Ramushit në Dukagjin dhe e ish-komandantëve të tjerë në zonat e tjera! Ahmet Isufi ka “dështuar” të jetë “zë i Anamoravës”. Madje, më shumë ka bërë Rexhep Kadriu për Gjilanin pas luftës sesa Ahmet Isufi. Po flasim si provincialistë dhe me logjikë provinciale!
2. Kryetari Haziri është politikani që në mënyrë të pabesueshme është edhe lideri më autoritarist në nivel dege partiake të LDK-së. Ai konsiderohet “baba” dhe fuqia e tij ka servilosur shumë njerëz. Habitshëm, por e saktë: Luta është i pakontestueshëm si lider i Rajonit të Anamoravës, por autoritarist brenda partisë. Vetëm krahasojeni atë me fuqinë e Qëndron Kastratit, Sokol Halitit, apo edhe të Ferizajt e Kaçanikut, apo edhe përfshijeni kreun e Artanës! Lapsi shkruan: Luta mbetet më i forti në Anamoravë, por kjo fuqi politike rajonale e republikane, e ka bërë me sjellje prej lideri autokrat. Ai është i pari dhe të gjithë të tjerët në fund. Qarkullimi i elitave të reja është i pamundshëm; futja e njerëzve të rinj është e pashpresë dhe demotivuese. Nuk krijon atmosferë më demokratike edhe për faktin se nuk e di se si do të jetë atje lart pozicioni i tij. Mua më pengon ky mit, kult dhe sjellje prej autoritaristi. I kritikoj të gjithë qysh nuk e demitizojnë atë: Luta, Luta, Luta! Çka bre Luta?! Unë kam miqësi me shumë të krejt partive dhe nëntëdhjetë përqind s’pajtohemi kur vlerësojmë Lutën! Ndoshta sytë e mi shohin më ndryshe, por do të jap argumentet e mia se pse e shoh krejt ndryshe Lutën dhe kurrë për mua nuk është “baba”! Madje, me shumë mangësi, por edhe anët e forta, do t’i shprehi, sepse përpiqem të jem sa më objektiv.
3. Atë e respekton PDK, partitë e tjera po ashtu, me përjashtim pak a shumë të LV-së dhe kreut të ri e të konsumuar të PDK-së, Qemajl Mustafës. LDK-istër e shohin me këto mangësi: për të qenë kryetar i LDK-së, duhet të jetë akademik ose profesor me përvojë; dhe përfoljet se i ka raportet e mira me ish-punonjësit e SHIK-ut. Ju kujtohet ato dollitë e përshpirtshme që qarkullonin gjithandej me një ish-SHIK-ist!
4. Kryetari Haziri e konsideron komunën më poshtë se veten. E llogaritë komunën si diçka të vogël për të. Është neglizhent, pak i koncentruar në të. Shihni krejt intervistat në mediet qendrore, askund thuajse nuk është në cilësinë e kreut të komunës! Jo flet për shkëmbime, jo për taksën etj. Atij i ngjan tash shumë Shpend Ahmeti: në vend se të merret me komunë 100 përqind, angazhohet si negociator me Serbinë.
5. Luta për ujërat e zeza, zgjerimin e rrugëve sidomos kah kazerma e FSK-së, është me performancë të mirë. Shpirti më kënaqet kah eci me shumë të tjerë kah “Agmia”: ndriçim, trotuarë, rruga dhe fushëpamja e gjerë. Ashtu u bë sheshi i ri dhe kjo pjesa pas kafeterisë “Shtëpia”, më shkriu. Shpirti më kënaqet kur eci andej! Mezi pres edhe përmbylljen e punimeve deri në fund të Dardanisë 1. Po ashtu, lajm fantastik është gjiganti i ujërave të zeza, ndonëse për vlerësim më të saktë, duhet bërë transparencë e projektit për publikun: çmimi, kredia qeveritare, BERZH-i etj. Mirëpo, çka është e keqja e infrastrukturës? Shihni se si janë dëmtuar krejt kockat e shtruara e të mbushura me bari të egër përreth banesave të shumta, deri tek Ura – afër Mishtores së madhe që ka nevojë po ashtu për mbikëqyrje nga kundërmimi i asaj lagjeje dhe gjetjen e mënyrave të shëndetshme ekologjike. Rruga tek “Ina”, në anën e majtë te banesat e shumta që del te Rruga Qarkore, është e dëmshme për shumë vetura. Katastrofale! Gjilani në përgjithësi ka dhjetra gropa! Gjilani ka shumë puse kanalizimi pa kapakë dhe të rrezikshme për njerëzit! Punimet po ashtu janë stërzgjatur për lumin Mirusha dhe nuk ka qasje kontrollimi e afatizimi, por edhe pa mungesë të supervizionit serioz të cilësisë së punimeve. Gjilani ka nevojë për shumë trotuarë të çlirohen në pjesët ku ka shumë frekuentim. Pjesa që më shkakton më së shumti dhembje për nënat me karroce është rruga te Posta e Vogël dhe që shkoni në drejtim të Selami Hallaçit. Ana e majtë, se e djathta është më në rregull. Gjilanit i mungojnë prurje të investitorëve të huaj apo nga mërgata. Gjilani në arsim ka qeverisje aq të dobët, sa mund të thuhet edhe jokorrekte, edhe amatore. Anulimet e konkurseve, kurdisjet e ndërhyrjet të gjithë i përfolin në qytet. Qyteti ka veshë e gojë, apo jo?! Për arsim, pyetet po ashtu “baba”. Ama përzierje me stil, me takt dhe pa gjurmë. Në fusha të tjera, po ashtu shihet dembelizmi i “babës”. Në kulturë, zgjidhje për aktorët s’ka pasur. Qendra Rinore e për kulturë në përgjithësi, janë në mos, krejt pasive, me ndonjë aktivitet sa për të mos thënë “hiç sen”.
6. Sa i përket busteve, Luta ka arritur shumë poenë, por e ka mbingarkuar hapësirën publike gati si “Shkupi 2014”. Përveç cilësisë së dobët artistike, ka dobësi në planin e vendosjes dhe dendësinë e hapësirës publike urbane. Ama e ka fituar zemrën e të gjithëve!
7. Aq shumë është tepruar me emërtimet e rrugëve, sakaq sërish i kanë ndryshuar! Na kupën krejt! Kur u zgjova në mëngjes para pak javësh, ma kishin ndryshuar emrin e rrugës. Secila rrugë jo me numra a shkronja, sa më lehtë, por me emra e mbiemra! Madje diku e kishin shkruar aq gjatë: Mësuesit e viteve të ’90-ta!!! Hej, merrni mësim nga Perëndimi, sa koncizë që janë dhe sa shumë ta lehtësojnë jetën atje! Nuk ndryshohet çdo ditë emri i rrugës a lagjes! Sa puna del me dokumente dhe sa vështirë bëhet orientimi! Pyeti taksistët dhe “qendrat bazë të thirrjeve”!
8. A është në rregull shefi i Zyrës së Kryetarit ta mbajë postin në distancë kohore e hapësinore?! Bile gjithqysh duhet të shihet numri i mungesave dhe sa është paguar!
9. Luta e ka shkapërderdhur opozitën. Po të kishte opozitë si duhet, fuqia e pakontestueshme e Lutës ndoshta do t’i binte edhe brenda partisë; do t’i ndihmonte vetë Lutës. Nuk ka më keq se të të duan njerëzit nga frika e serviliteti. Luta dhe krejt politikanët e tjerë duhet të shohin pushtetin jo për t’i kontrolluar nje