Shkruan: Avni Rudaku
Prej se ka hyrë Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, nga viti 2010 e këtej, e ka pasur një politikë tepër interesante, që pak kush e ka kuptuar: merr gati më së shumti vota nga Gjilani, në nivel të Kosovës dhe në shumicën e zgjedhjeve, kandidon shumë emra nga Gjilani, duke u shpërndarë shumë vota, duke grumbulluar shumë vota për partinë, por duke lënë pa ose fare pak përfaqësim, Gjilanin. Edhe më ironike: Gjilani i jep shumë vota Vetëvendosjes që nga hyrja në Kuvendin e Kosovës, por tash në listë, asnjëri nga Gjilani, nuk është as në 20 numrat e parë në listë. Kush e bën këtë dhe pse? Disa figura politike televizive të Vetëvendosjes në Prishtinë, duke marrë shumë vota në Gjilan, për shkak që kanë hapësirë nga Dejona Mihali, për të dalë në masmedie e studio televizive. Kjo bëhet sidomos edhe për shkak që figurat politike nga Gjilani, nuk e kuptojnë këtë proces hilesh e kalkulimesh nga disa figura qendrore të Vetëvendosjes në Prishtinë dhe aspak nuk i kundërshtojnë politikat e Vetëvendosjes në qendër, as nuk i kanë njohuritë politike, as guximin për të kritikuar brenda dhe janë të stërmbushur me servilizëm partiak e besojnë në kultin e personalitetit të Albin Kurtit. Një nga arsyet që Vetëvendosja në qendër ka qenë kundër shumë zonave zgjedhore, ka qenë pikërisht edhe interesi egoist i figurave politike të Vetëvendosjes në Prishtinë, që të mbledhin vota në krejt Kosovën, e më së shumti nga Gjilani. Ata dalin ma shumë dhe ma shpesh në televizione e konferenca, prandaj e kanë më lehtë të mbledhin vota në shumë qendra të Vetëvendosjes në disa komuna të Kosovës, përfshirë edhe Gjilanin.
Pra, më tepër se interesi partiak, ekziston interesi i një klani të ngushtë të figurave të Vetëvendosjes në nivel qendror të partisë, për të përfituar më së shumti vetë ata e ato. Nëse partia është pjesë e shoqërisë, partia dominohet nga pjesëzat, grupe më të ngushta brenda partisë, që e kalkulojnë vetëm interesin e tyre klanor brenda partisë, e fare pak interesin e partisë, e aspak interesin e komunave, qyteteve, rajoneve e Kosovës. Disa kujtojnë se fryma e fundit i çoi disa deputetë nga Gjilani në Kuvend të Kosovës, duke kujtuar se kjo do të jetë krejt njësoj edhe tash. Po të mos ishte fryma popullore pro Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, shumica e deputetëve nga Vetëvendosje e Gjilanit, kurrë nuk do të mund të hynin në Kuvendin e Kosovës. I çoi fryma, por nuk shkuan në Kuvend, si individë e personalitete. Gjithashtu, është joparimore, të kandidojnë sërish deputetë, të cilët në shumicën e seancave, kanë heshtur plotësisht dhe nuk kanë bërë asgjë për Kosovën e zonat nga i kanë marrë votat. Duhet të shpërblehet punëtori, por jo kandidati që është sprovuar si deputet dhe gjithmonë ka heshtur.
Prej Vetëvendosjes, sa i pashë disa kandidatë/e për deputetë, kam konsiderata vetëm për Ismajl Kurteshin. Ai mbetet një politikan i veçantë, njeri i mirë, i zëshëm, shpesh parimor, pavarësisht që kam mospajtime edhe me të, për shumë çështje. Të tjerët e të tjerat, munden të jenë disa edhe njerëz të mirë, por jo edhe profesionalë, fatkeqësisht. Neve nuk na duhen vetëm njerëz të mirë në politikë, por edhe profesionalë, dhe mbi të gjitha, të guximshëm. Jo vetëm profesionalë, por që flasin, diskutojnë në Kuvendin e Kosovës. Parlare, frëngjisht, flas. E jo deputet a deputete, e të heshtet në Kuvendin e Kosovës.
Na duhen njerëz të mirë, profesionalë, të guximshëm dhe që janë besnikë në përfaqësimin e interesave të votuesve. Jo rastësisht, për 10 vjet, nuk votoj fare. Nuk e ndjej ende se dikush më përfaqëson mua si qytetar. Krejt shkojnë t’i vardisen liderit partiak e të marrin rreth 2 mijë euro në muaj. Unë nuk motivohem të votoj dikë, që ta kurtalisi me 2 mijë euro për të, por të më përfaqësojë interesat e mia si votues. Për besë, vota ime është e shtrenjtë dhe e shenjtë: nuk ia jap dikujt votën që tërë kohën heshtë dhe shpërblehet sërish për heshtjen e tij nga vetë partia. Unë pres që një deputet a deputete që nuk flet kurrë në Kuvendin e Kosovës, të mos kandidohet sërish si kandidat për deputet. Është një parim që vlen për çdo strukturë shoqërore, familje, parti, kompani, organizatë, klub, shoqatë, institut, fondacion: individët që dëshmojnë angazhim, shpërblehen, kurse individët që nuk e dëshmojnë që janë të vyeshëm, së paku, hiqen nga listat për zgjedhjet e ardhshme.