Shkruan: Avni Rudaku
Isa Agushi është kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në Zgjedhjet Lokale 2025, nga partia e re dhe e 51-të në regjistrin e KQZ-së, Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA (BNA). E kam kërkuar disa ditë biografinë e tij nëse e ka dikund, në faqe zyrtare të Komunës së Gjilanit, ose diku tjetër.
Ia dërgova kërkesën edhe në mediet sociale për biografinë që të ma dërgonte, meqë nuk e njihja personalisht dhe nuk isha më parë mik në Facebook, sepse doja ta kisha biografinë zyrtare direkt prej tij, por për shkak të dinamikës së serisë së shkrimeve, vendosa të mos e prisja më pas orës 19:00, pasi që në kërkim e sipër, e gjeta vetë në Jutjube, jetëshkrimin interesant të Isës. Në kërkim e sipër, në një “Odëcast”, në bisedë të lirë, Isa vetë e tregon krejt biografinë dhe rrugëtimin e tij jetësor e politik. I lindur në Zhegër të Gjilanit, në vitin 1965, shkollën fillore në Zhegër, shkollën e mesme ushtarake në Beograd dhe Sarajevë, ka filluar më pas punën në Mal të Zi ku edhe i lindën fëmijët atje. Filloi pastaj Akademinë Ushtarake me korrespondencë në Beograd. Me fillimin e luftërave në Kroaci e Bosnje, emigroi në Zvicër, duke dezertuar nga armata jugosllave dhe për të mos shkuar në luftëra të huaja e të padrejta të Jugosllavisë. Pas një viti në Zvicër, i mori gruan dhe dy fëmijët e tij që ishin atëherë në Mal të Zi, dhe u paraqitën si refugjatë në shtetin helvetik, si shumë shqiptarë, e veçmas veprimtarë të çështjes kombëtare. I kishte mbetur vetëm diploma, sepse i kishte kryer të gjitha provimet, toger me gradë në atë kohë… Prej vitit 1992-1998 kishte qëndruar në Zvicër dhe e ka edhe nënshtetësinë zvicrane. Të gjithë eprorët në Jugosllavi, mbanin takime të rregullta në Zvicër, ku në dy-tre muajt thotë Isa, se kanë qenë të gjithë eprorët të gatshëm, që nga viti 1993, për t’i përgjigjur atdheut, duke e llogaritur edhe obligim shtesë si ushtarakë për luftën atdhetare kundër okupatorit. (Pyetja, “Odëcast me Isa Agushi – Komandant Dardani”, publikuar më 1 maj 2024, në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=6Sq9k0Dk9W4)
Pra, Isa është me eksperiencë të gjatë në politikën komunale në Gjilan, i angazhuar në dy partitë e “krahut të paqes” (LDK) dhe “krahut të luftës” (PDK), kryetar i partisë së re BNA, me përvojë të gjatë si mërgimtar në Zvicër, me sfond ushtaraku e ish-komandanti i UÇK-së, por edhe i njohur për aktivitete biznesi.
Përparësitë e Isës
1. Isa, i njohur edhe me nofkën Dardani, vlerësohet për të kaluarën e ndritur si patriot, nacionalist, me kontribut real në luftën e UÇK-së, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke qenë edhe ish-komandant.
2. Përveç që njihet si patriot, vlerësohet edhe më lart, që e konsiderojnë edhe si një nga ish-bashkëluftëtarët e heroit të kombit, Agim Ramadanit (KATANËS), të cilin e kishte edhe bashkëvendas, si dhe të shoqen e heroit e ka sipas rrëfimit të Isës, edhe kushërire. Pra, lidhje në organizim për hyrje në Kosovë bashkë me ish-oficerët dhe nënoficerët e armatës jugosllave dhe me akademi gati se të përfunduar, bashkëvendas të Zhegrës dhe me lidhje miqasie, me heroin e kombit. Isa kishte ardhur në Zonën Operative të Karadakut (ZOK), pasi kishte nevojë veçmas për epror ushtarak të shkolluar në këtë zonë – thotë ai. Dhe se Agim Ramadani ishte në Koshare, kurse vetë ai erdhi në ZOK, si dhe, Agimi do të vinte në ZOK, por ishte i lidhur fort me ushtarët e tij në Koshare – rrëfehet Isa në Odëcast.
3. Ka përvojë të gjatë në jetën politike, dy herë anëtar i Kuvendit Komunal (1 mandat e gjysmë në LDK, gjysmë mandati në PDK), kandidat për deputet nga PDK-ja, ndonëse pa sukses, i angazhuar për shumë vjet në LDK, e pak vjet edhe në PDK, dhe së fundi, edhe duke pasur përvojën e krijimit të një nisme të re qytetare, nga viti 2022, subjektin e ri politik, “Bashkimi për Ndryshim Anamorava”, shkurtimisht BNA, si udhëheqës i saj.
4. Ka përvojë edhe në ndërmarrësi. Përparësi është edhe që vjen edhe nga Zvicra, ka biznes dhe ka mundësi financiare për të qenë edhe më i pavarur për eksperimente të reja politike.
5. Përparësia morale-politike për të kritikuar veçmas Lutfi Hazirin sa ishte në LDK, sepse përkundër kritikave në biseda private të anëtarëve e strukturave të Degës në Gjilan kundrejt liderit të Degës, kurrë publikisht, madje as brenda dyerve të mbledhjeve të partisë, nuk e thonin ndonjë mospajtim me Lutën, madje disa e konsideronin “Baba”, në cilësinë e autoritetit të pakontestueshëm. Në kohën e gjatë të servilizmit të habitshëm në LDK-në e Gjilanit, bile Isa dilte publikisht në mospajtim me liderin, ndonëse u largua sapo filloi kritikat, që flet edhe për demokraci të dobët brendapartiake dhe me degë lideriste. Partitë politike, funksionin kryesor e kanë qarkullimin e elitave politike, rekrutimin e lidershipit të ri në vazhdimësi, prandaj kur partitë nuk lënë hapësirë për gara të brendshme, nuk janë të shëndetshme për demokracinë. Duhet instaluar kritikën e brendshme partiake, nga dita e parë e themelimit të partisë, madje që në emërtimin e akronimin e saj. Mospajtimet kanë edhe kufijtë e vet legjitimë brenda partisë. P.sh., sociologjikisht, partia është grup individësh që ndajnë pikëpamje, vlera, qëndrime e ideologji të njëjtë, prandaj nuk po flasim për parimet, vlerat dhe idetë kryesore që duhet të pajtohemi si anëtarë të së njëjtës parti, por për veprime të caktuara, për vendime të caktuara, për rezultate të caktuara zgjedhore, për sjellje të caktuara të liderit, për procedura të caktuara etj., duhet të ketë kritikë të mirëfilltë. Ne kemi mospajtime edhe me veten nganjëherë, e lëre më me udhëheqësit tanë. Prandaj, kritikat e zëshme e të njëpasnjëshme për Lutën, Albanin, qeverisjen e PDK-së (me përjashtim të lavdërimit ekstrem të Qemajl Mustafës, Kadri Veselit), janë për t’u vlerësuar, ndonëse do të donim t’i shihnim më me shumë përmbajtje dhe më sistematike.
6. Përparësi tjetër e Isës është se, në bisedat me njerëz të ndryshëm, kur përmendej kandidatura e tij, thoshin se është njeri i mirë e patriot, ndonëse ndonjë ldk-ist pasi që ishte larguar nga LDK-ja, mund të thoshte edhe nga hatërmbetja që Isa e kishte braktisur LDK-në, se asgjë në largimet e Isës nga LDK-ja, nuk ka pasur arsye parimore. As me ikjen nga PDK-ja, e thonë pdk-istët. Sidoqoftë, kush i kritikon publikisht njerëzit me pushtet, unë kam admirim. Të paktën, të thyhet masa e gjerë e individëve servilë. Natyrisht, nuk pajtohem fare me një mentalitet të krijuar në Kosovë: 1) ose thonë me krenari, “se unë nuk ia rrasi hiç shefit, kryetarit, drejtorit…” (pa respektim demokratik të hierarkisë dhe sensit të përgjegjësisë për ndarjen e detyrave nga lidershipi e menaxheri, nuk i japin fare përgjegjësi që mungojnë në punë, që nuk e kthejnë një email me kohë etj.), 2) ose qeshin para njeriut të pushtetshëm e servilosen deri në skaje, duke qeshur me çdo gjë që thotë lideri, kryetari, drejtori… akoma pa përfunduar shakaja, veç pse po flet njeriu i pushtetshëm. Në parim, unë personalisht, nuk e pranoj asnjërin qëndrim. Qëndrimi im është që kudo në botë ka hierarki, ka pasur gjithmonë e do të ketë me gjasa, por jo edhe miratim të çdo vendimi, sjelljeje, qëndrimi, veç pse dikush është më me autoritet, ose pushtet, ose hierarki. Pra, as servil, as rebel. As konformist (pajtim gjithqysh me mendimin e shumicës), as devijator (të kënaqem veç pse kundërshtoj), por moskonformist (kam qëndrime të mia për shumë gjëra, nuk i bëj veç për kundërshtim, por i bëj sepse ashtu mendoj, besoj, vlerësoj, argumentoj, se është më mirë).
Mangësitë e Isës
1. Transferet prej një partie politike në një parti tjetër, po vlerësohen shumë negativisht, në opinionin publik. Pavarësisht se në shoqëritë e shtetet demokratike, e drejta për ta ndryshuar edhe vetë emrin personal, është e drejtë e garantuar. E drejta për ta lënë një religjion, për t’u konvertuar në një tjetër, për ta braktisur tërësisht religjionin, apo sërish për t’u bërë besimtar, është e drejtë e çdonjërit dhe çdonjërës. E drejta për ta ndërruar vendbanimin, qytetin, komunën, shtetin, madje, qoftë edhe planetin, veç a mund ta paguash Elon Musk-in, për udhëtim privat! E njëjta vlen edhe për të drejtën e çdokujt për ta ndërruar partinë politike, për të kaluar në një parti tjetër politike, ose për të krijuar parti krejt të re politike, ose sërish e drejta për t’u kthyer në partinë e mëhershme. Sidoqoftë, ligjërisht është krejt në rregull. Politikisht, krejt në rregull, por vlerësimi i opinionit publik për transferet prej një partie në një tjetër, zakonisht është negativ, ose shihet transferi si shenjë e labilitetit politik, ose largim për inat, ose me arsyen se ka humbur në zgjedhje lokale apo qendrore etj. Është e vështirë ta bindësh opinionin publik nga propaganda e subjektit të braktisur, se je larguar për çështje krejt parimore e demokratike. Rrallëherë transferet prej një partie në tjetrën, vlerësohen pozitivisht, ose pranohen vetëm në rrethana të caktuara, ose varet sa jeni edhe bindës për të justifikuar largimin ose dorëheqjen për arsye parimore etj. etj. Pra, pak individë kanë pasur sukses kur e ndërrojnë partinë politike. Kapërcimet aq të shpejta e aq të mëdha, prej LDK-së në PDK, prej PDK-së në krijim të BNA-së, shihen me refuzim politik e estetik. Gjithashtu, shihet edhe emocional në qëndrimet e tij publike, pasi Isa shkroi në vitin 2021 se, nuk do të merrej më me politikën, e pas një kohe, u kthye në politikë, madje duke krijuar subjekt të ri politik, BNA-në, në vitin 2022, i regjistruar edhe në KQZ si parti e re politike. Madje, më 14 shkurt 2022, GUXO e Donika Gërvallës, partia e re që kishte dorëzuar aplikacionin për regjistrim në KQZ dhe nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, kishte hyrë si partia e 50-të në Kosovë, ndërsa, BNA, me kryetar Isa Agushin, në vitin 2022, u bë partia e 51-të, pas asaj GUXO.
2. I perceptuar si FARK nga një pjesë e pdk-istëve, me gjasa nuk përkrahet me vota, nga një pjesë e këtij subjekti politik ose “krahut të luftës”, edhe pse vetë Isa thotë se, sa ka qenë në Zvicër, nuk ka parë ndarje FARK dhe UÇK, por kur erdhi në Shqipëri, i pa ndasitë dhe qëllimi ishte çlirimi i atdheut, e jo fraksionet e grupacionet e ndryshme. Bile dua të shtoj këtu se, në këtë perceptim si farkist, mbetet farkist-i më përafrues i krahut të luftës e të paqes, më ndërmjetësuesi, sepse edhe ka qenë në LDK, edhe në PDK, edhe ka pasur vlerësim shumë të lartë për Kadri Veselin. Pra, Isa ka qenë më përafruesi me rrugëtimin e vet politik për këtë pjesë të historisë së përçarjeve para, gjatë e pas luftës. Sidoqoftë, në luftë, edhe ata që perceptohen si farkistë, kanë luftuar me emblemën e UÇK-së, por nuk do të zgjatem në këtë pikë. Rezultati i çdokujt që ka kontribuar për çlirimin e vendit, është për vlerësim, kush më pak e kush shumë më shumë.
3. Pasi doli nga LDK-ja në PDK, mori më pak vota dhe vazhdimisht ka pasur rënie të votave përgjatë viteve, gjë që e bën parashikimin më pesimist për ndonjë rezultat as të mjaftueshëm, e lëre më mirë, shumë mirë, shkëlqyeshëm, si kandidat për Kryetar të Gjilanit në Zgjedhjet Lokale 2025. Në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, në vitin 2017, Isa Agushi ishte kandidat për deputet nga koalicioni LDK-Aleanca Kosova e Re, ku me numrin rendor 79, fitoi 4373 vota dhe nuk u bë deputet. Në vitin 2019, kur edhe Agushi u largua nga LDK-ja dhe kaloi pas pak kohësh në PDK, në Zgjedhjet e Parakohshme të Kuvendit të Kosovës, ishte deputet me numër rendor 85, dhe votat thuajse iu kishin përgjysmuar, në 2551 vota, duke pasur efektet e veta edhe konvertimi nga LDK në PDK, por edhe shumë arsye të tjera. Pak konvertime partiake kanë pasur suksese në historinë e Kosovës dhe varet shumë nga fuqia politike e një politikani, rrethanat, arsyetimet, bindja e publikut për motivet e largimit etj. Në Zgjedhjet e Parakohshme të Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2021, Agushi nuk ka kandiduar më si deputet i Kuvendit të Kosovës. Në Zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Gjilan, në vitin 2017, Agushi kishte 396 vota, por nuk ishte në listën e kandidatëve të zgjedhur ngase kishte të tjerë më lart në listë, dhe kuota gjinore e largoi, edhe pse Rina Ahmeti-Kasumi kishte 274, mbi 100 vota më pak se Agushi. Mirëpo, fati e deshi që Faton Bislimi si bartës i listës, nuk ishte i interesuar të mbetej anëtar i Kuvendit Komunal, por kishte synime të mëdha për Kryetar Komune (!), dhe Isa ishte me radhë, me më së shumti vota dhe hyri sërish si anëtar i Kuvendit Komunal, si pjesë e LDK-së, e që kah fundi i mandatit, do të dilte në PDK, duke hequr dorë nga grupi i këshilltarëve komunalë të LDK-së.
4. I vlerësuar për ikje edhe nga PDK-ja, për motive më shumë personale, sesa parimore, pavarësisht motiveve të vërteta e rrethanave të mospërshtatjes gjatë konvertimit në PDK nga LDK-ja. Kështu është perceptimi publik, dhe në politikë, perceptimi gjithmonë ka impakt. Në vitin 2021 u largua nga PDK-ja, duke u përhapur më shumë rrëfimi i PDK-së në Gjilan, se Isa u largua për qëllime personale, sepse Isa deshi për të kandiduar nga PDK-ja për Kryetar të Gjilanit, por vullneti i shumicës së Degës së PDK-së në Gjilan, ishte të kandidonte dikush tjetër. Në Zgjedhjet Lokale 2021, PDK-ja e kishte kandiduar Leonora Morina-Bunjakun si kandidate për Kryetare të Komunës së Gjilanit, që në mandatin 2021-2025 nën qeverisjen e LVV-së dhe Alban Hysenit, me koalicionin e LVV-së me PDK-në, ajo vazhdoi edhe pas prishjes së koalicionit, të ishte nënkryetare të Komunës së Gjilanit.
5. Nismat e reja, subjektet e reja politike në Gjilan, të gjitha, nuk kanë pasur fare suksese, ose me suksese minimale. P.sh., më shumë se një dekadë më parë, Selver Xhelili, ish-Drejtor për Kulturë, kishte themeluar Lëvizjen Republikane. Ose Arianit Sllamniku i inkuadruar edhe në Partinë e Drejtësisë, e kishte krijuar Lëvizjen për Integrim dhe Zhvillim, gjithashtu mbi një dekadë më parë dhe pa sukses. Ideja e Yll Isufit, bazuar në këtë sentimentin lokalist për Gjilanin, si BNA, “Gilani i gillangjive”, gjithashtu nuk është marrë seriozisht kurrë te votuesit. Edhe Koalicioni për Gjilanin nga Faton Bislimi ishte dështim total për të arritur diçka në politikë. Njësoj edhe BNA-ja, me idenë e veprimit kryesisht në Gjilan, por me tendenca për t’u shtrirë në Kamenicë, Viti e përreth, tingëllon keq, si lokaliste, provincialiste etj. “Mos t’ngajmë mas Drenicës, Dukagjinit…” – thoshte në Odëcast te Pyetja në Jutjube. Këto janë klishe, stereotipa dhe asnjë tendencë e lokalizmit, nuk i ndihmon shtetit, në vend se të sforcohet ideja e bashkëpunimit ndërkomunal, ndërrajonal, ndërurban, ndërrural etj. Jepni ide, propozime për zgjidhjen e problemeve komunale, e mos u merrni me diskurs të kot stereotipizues! Tregoni si subjekt i ri, qysh do ta zgjidhni problemin e qenve endacakë, pluhurin te rruga qarkore, vërshimet, kundërmimin tek ish-Ina, bllokimin e troturit me pemë e perime, reduktimet e ujit nga ujësjellësi pavarësisht që japin njoftime të shpeshta, kolonat e korrikut, nënkalimet e mundshme etj.?! Lërni këto më: Gillangji, Anamoravë etj. Janë broçkulla.
6. Nuk e di e kujt ka qenë ideja, por BNA-ja si akronim për Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA, sikur i kanë shkurtesat të gjitha partitë politike, tingëllon keq për një gjeneratë që i ka parë tatuazhet në krah me “JNA”. BNA, tingëllon si akronim JNA, e sidomos që Isa ka qenë ushtarak në ish-Jugosllavi, publiku edhe më keq e pret çdo akronim që tingëllon si diçka jugosllave. Edhe një herë: BNA është akronim krejt në rregull, se ashtu i bie Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA, dhe se sfondin e patriotizmit e ka dëshmuar shumë Isa (dikush që e ka lënë Zvicrën e ka ardhur në luftë, ka respekt të jashtëzakonshëm!), e kam potencuar edhe më lart, por kur është vendosur për emërtimin e partisë së re dhe shkurtesën BNA, është dashur të mendohej për një emërtim që edhe shkurtesa të tingëllojë më bukur. Po flas si psikolog, si sociolog, si analist politik, që i përcjell zhvillimet politike si brenda vendit, si jashtë, që nga fëmijëria e mesme. Ose le ta marrim edhe variantin fillestar të emërtimit: Iniciativa Qytetare e Anamoravës, që shkurtesa do të ishte IQA. A është IQA krejt në rregull si akronim? Po, por edhe jo. Por si tingëllon shqip, e veçmas te brezi i ri, e veçmas kullerët e pasluftës, një komunitet i veçantë me anglicizma, globalizëm e teknologji, me tendencat për perëndimorizim e evropianizim selektiv ashtu siç e kuptonin ata e ato, e veçmas me veshje, stile flokësh etj., akronimi IQA, kur flasin mbrapsht, -op, për “Po”, -inva për “Avni”, po e lë në imagjinatën e juaj, si tingëllon IQA, nga kjo analogji e kullerëve të pasluftës, ose snobistëve në Prishtinë e gjetiu?! Në çdo vend të botës, pavarësisht sa konservator ose liberal është, se si tingëllon një emërtim, ose akronim, ka rëndësi të veçantë. BNA, po tingëllon keq për veshin tim me ankthin si i ri në vitet e ’90-ta nga shtypja jugosllave e serbe dhe lufta, por edhe keq po rri tatuazhi JNA në krah.
7. Shumica e partive të reja politike, e kanë të vështirë shtrirjen, organizimin, forcimin, rritjen, nëse nuk ka një angazhim të gjatë të themeluesve, me kuadro të reja, me punë të vazhdueshme, me ide, propozime, kritika të vazhdueshme dhe me ekip të konsoliduar në parti. Nuk mund të konsiderohet subjekt politik, nëse krejt publiku e identifikon vetëm me një kryetar themelues, ose me vetëm një politikan që i ka provuar dy partitë e mëdha politike dhe ka krijuar një subjekt të ri politik, për t’u bërë i pavarur. Kë e njeh publiku, përveç Isa Agushin nga BNA-ja?! Askë. Nuk mjafton të dalësh në foto me atë e këtë, aderoi ai e ajo në BNA, ndërsa ata dhe ato që aderojnë nuk angazhohen në sferën publike, për të përfaqësuar dhe përçuar mesazhet, idetë, vlerat, parimet, propozimet, projektet e idetë e BNA-së, jo vetëm sporadikisht, por rregullisht, për shumë vjet me radhë.
8. Në Zgjedhjet për Kuvende Komunale të vitit 2013, Isa Agushi si anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së, mori 660 vota, i katërti në listë për nga numri i votave. Vetëm Lutfi Haziri, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Avdyl Aliu kishin më shumë vota se Agushi. Në Zgjedhjet për Kuvende Komunale të vitit 2017, ishte edhe anëtar i Kuvendit Komunal, pasi Faton Bislimi si bartës i listës, sa e mbaj në mend ka qenë një a dy seanca dhe pastaj radha ka qenë e Agushit për të hyrë, me 396 vota, me 26 vota më shumë se Nevzad Rushiti. Hyri me brendin e LDK-së, e kah fundi i mandatit, edhe u transferua në PDK, duke qenë anëtar i Kuvendit Komunal me 1 mandat e gjysmë LDK dhe me gjysmë me PDK-në. I sprovuar e provuar disa herë, gjasat për rritje, bazuar në të gjitha të dhënat empirike dhe prognozën e analizës, janë shumë të vogla, në mos, me rezultat tepër zhgënjyes. Këto nisma mund të marrin fuqi politike, vetëm kur ka rezultate të ngushta, dalin pa kandidat për Kryetar Komune, konkurrojnë veç për Kuvend Komunal, dhe bëjnë koalicion parazgjedhor, sepse edhe 200 vota, në diferenca të ngushta siç ishte Albani me Lutën me rreth 900 vota, kanë rëndësi. E di që humb krejtësisht si Kryetar Komune, terrenin e sheh dhe e ndjen, statistikat e KQZ janë me qasje të hapur, pse del ore si kandidat për Kryetar Komune?! Ndërsa nëse nuk je provuar kurrë, në rregull jemi. Demokracia, është pikërisht mundësia për të gjithë dhe duhet vlerësuar. Unë i përgëzoj të gjithë që kandidojnë, por vetëm dua që kur garon, të jesh garues i vërtetë, sfidues serioz, rrezikues i kundërkandidatëve, ofertues i jashtëzakonshëm, alternativë vërtet e re politike, me profil unik. Jo veç hajt.
9. Gjuha direkte e kritikave para syve, mjerisht, edhe pse njerëzit thonë se i duan kritikat t’i dëgjojnë para syve, u mbetet hatri dhe krijojnë distancim social e lobojnë kundër njerëzve që flasin drejtpërdrejt. E mbaj në mend në seancën e Kuvendit Komunal, kur ia tha troç ish-Kryesueses së Kuvendit Komunal nga LDK-ja, Shpresa Kurteshit, duke e akuzuar për mungesë të sjelljes së raportit, i tha: “Ti je vetëm një kukull aty… Ti je e paaftë për këtë punë çka je t’u ba… Është gjynah për Komunën e Gjilanit ti me udhëheq një kuvend… Ti absolutikisht lidhje s’ki me këtë punë…” (Seanca e Kuvendit Komunal, janar 2020, Gjilan) Edhe vetë di të jem ashtu kur jam me bashkëbiseduesin injorant, inferior etj. Por kjo gjuhë, të kushton kur hyn në garë politike. Për vota, duhet mimikë tjetër, zë tjetër, gjuhë tjetër, komunikim tjetër…
10. Mungesa e stabilitetit politik, mungesa e konsistencës, nuk vlerësohen nga publiku për ta dhënë votën. Më 11 gusht 2021, në profilin e fejsbukut, Agushi postoi: “Politikë e flliqur.Të dashur bashkëvendas,qytetarë të komunes së Gjilanit,ju njoftoj që tani e tutje do rri largë politikës së flliqur.Për dy mandate si këshilltar komunal në dy subjekte politike nuk gjeta sinqiritet apo dikon që don të punoj me zemer për kët popullë të shumë vuajtur,fillimisht mendova që njerzit e zgjedhur d’otë punojnë për mirqenjen e qytetarëve por edhe kët se pashë për têt vite me radhë,mendova që do ti shërbejmë qytetarëve por mjerishtë edhe kët se gjeta.Mendoj që të zgjedhurit prap skan faj së shumica prej tyre i kan servilat,klanet,grupet dhe sahanlipirsat për rreth veti.Shfrytzoj rastin të ju njoftoj dhe të jua bëjë me dije të vetmin sinqeritet dhe që kam pa e pash te Kadri Veseli njeri i fjales dhe beses.Nji falenderim të sinqert nga zemra për gjithë ata që më mbështeten për dy mandate sa isha në kuvendin komunal të Gjilanit,zoti ju ruajtë juve me familjen tuaj,ju jam mirënjohës tan jeten.Ju kisha lut të gjithë ata që kan besimin tek unë mos e votoni kët Kryetar të tanishum sepse sherrin kena me ja pa ala ma shumë,votone kon të doni përveq ket mashtrues dhe përfitues së ndjerses së qytetrëve.Prej sot e tutje jap dorheqje nga të gjitha postet e Pdk-së,nji falenderim dhe mirnjohje e kam edhe për ish kryetrin Qemajl Mustafa i cili ishte kryetari më i sinqert dhe nji njeri shumë i drejt,pata nderin që disa vite të ishim bashk.Ju kisha lut atyre që menxi presin të shkruajn ndonji koment ofendues,por nuk ju a kam borgjë komentev të tilla,dhe për mos me shkrue nuk jam ka aderoj në ndonji parti tjeter por do të jem nji zë si i qdo qytetari të rondomtë.Kurr nuk do të mposhtem dhe gjynjuzohem nga askush sepse ne qlirimëtarët jemi të tillë.Lavdi Dëshmorëve të Kombit,respekt qlirimëtarëve,dashtë zoti që sa ma shpejtë të kthehen qlirimtarët nga Haga ku padrejtsisht po mbahen dhe gjykohen.E zeza e shqipëtarit është vet shqipëtari ishalla mbushemi mendë ta dojmë vendin tonë të shtrejtë dhe ta dojmë njëri tjetrin.Zoti ju ruajt!” Nuk e korrigjova gjuhësisht, se e lashë qysh e ka shkruar vetë Isa, se ka një mal gabimesh gjuhësore. Si e thua po largohem krejt nga politika, e pas një viti, krijon parti të re politike?!
11. Nëse synon garën e fortë për Kryetar të Gjilanit në vitin 2025, duke u ballafaquar me Albanin e Arbërin, që janë në garë kryesore, nga dy parti të mëdha e të etabluara tashmë, si do t’i sfidosh kundërkandidatët, pa shumë mjete financiare, pa zgjerim të donacioneve nga anëtarësia e gjerë, donatorët etj.?! Vetëm lexoni raportin vijues dhe bindeni: Bashkimi për Ndryshim Anamorava-Pasqyrat Financiare Vjetore dhe Raporti i Auditorit të pavarur: 01 Janar 2023 – 31 Dhjetor 2023, në: https://zyra.kqz-ks.org/wp-content/uploads/2025/04/48.-Bashkimi-per-Ndryshim-ANAMORAVA-2023_A.pdf)
Vështirësia për të gjeneruar shumë më shumë donacione si parti e re, siç është BNA-ja, është fare pa optimizëm për rezultatin zgjedhor lokal. Ose lexojeni këtë paragraf të gjatë: “Pasqyrat financiare nuk paraqesin asnjë aktivitet financiar për vitin e përfunduar me 31 Dhjetor 2023… Për më tepër, Subjekti Politik nuk ka plotësuar drejt pasurinë, ekuitetin dhe detyrimet më 31 Dhjetor 2023 dhe 31 dhjetor 2022, dhe te hyrat dhe shpenzimet për vitin qe përfundon më 31 Dhjetor 2023, po ashtu shënimet e prezantuara në Pasqyrat Financiare nuk mbështeten me dëshmi relevante lidhur me zërat e pasqyrave financiare të SP me 31 Dhjetor 2023 ashtu siç kërkohet me ligjin Nr. 04/L-212 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuara dhe plotësuara me ligjin Nr. 04/L-058, Neni 15 Raportimi Financiar. Duke pasur parasysh natyrën e shënimeve që mban subjekti politik, ne e kishim të pamundur të përcaktojmë korrigjimet e nevojshme më 31 dhjetor 2023 dhe 31 dhjetor 2022.” (Bashkimi për Ndryshim Anamorava-Pasqyrat Financiare Vjetore dhe Raporti i Auditorit të pavarur: 01 Janar 2023 – 31 Dhjetor 2023, në: https://zyra.kqz-ks.org/ëp-content/uploads/2025/04/48.-Bashkimi-per-Ndryshim-ANAMORAVA-2023_A.pdf)
Po në të njëjtin burim, shihet në tabelë se të hyrat nga anëtarësia e BNA-së janë me rubrika të zbrazëta dhe theksohet se subjekti politik nuk ka një llogari bankare aktive, për t’u bërë me llogari bankare aktive, vetëm në vitin 2024, sipas auditorit. Si mund të ketë sukses një subjekt i ri politik, që në vitin e parë të themelimit, thuajse fare pa buxhet dhe me tërë ato rubrika të zbrazëta në pasqyrat financiare të auditimit?! Le të vazhdojmë edhe me pasqyrat financiare për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024 dhe çfarë thotë auditori për këtë periudhë për BNA-në: “Edhe pse neni 31 i Statutit të subjektit politik përcakton mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe të drejtën e anëtarëve për informim lidhur me të hyrat dhe shpenzimet, nuk është kryer asnjë kontroll i brendshëm për periudhën e auditimit. Komisioni mbikëqyrës, i cili sipas ligjit Nr. 04/L-212 dhe nenit 17 të Ligjit për kontrollin e brendshëm, është përgjegjës për monitorimin e këtyre proceseve, nuk ka kryer detyrën e tij dhe nuk ka ofruar ndonjë raport për punën e bërë.” (Bashkimi për Ndryshim Anamorava-Pasqyrat Financiare Vjetore dhe Raporti i Auditorit të pavarur: 01 Janar 2024 – 31 Dhjetor 2024, f.3-në: https://kqz-ks.org/ëp-content/uploads/2025/06/BASHKIMI-PER-NDRYSHIM-ANAMORAVA-1.pdf)
Po ashtu, nga i njëjti burim, shihet në tabelë, se për vitin 2024, ishin donacione dhe kontribute në të holla vetëm 500 euro, ndërsa kontributet në mall dhe shërbime, 1800 euro, në total prej 2300 euro. Po në të njëjtin raport, shihet se vetëm për qira, kanë shkuar 1800 euro. Si mund të fitohet beteja me tri parti të mëdha parlamentare që marrin qindra e mijëra euro nga Ligji për financimin e subjekteve politike dhe i tërheqin më shumë bizneset e mëdha, të mesme e të vogla e donatorë individualë e anëtarësinë e gjerë?! Unë nga viti 2014 nuk votoj, sepse nuk e ndjej se më përfaqëson ndonjë subjekt politik, për nevojat, dëshirat dhe kërkesat që kam, dhe jam vazhdimisht i gëzuar edhe për shkak të demokracisë, të dalin sa ma shumë nisma të reja, subjekte të reja, kandidatë të rinj, por dua t’i shoh se mund të kenë potencialisht dhe realisht sukses. Nuk mund të kenë sukses nëse nuk e ndërrojnë krejtësisht qasjen, nëse nuk janë aktive me krejt ekipin e subjektit të ri politik dhe jo me identifikim në sferën publike, vetëm me një themelues dhe të tjerët veç dalin në fotografi, por nuk bëzajnë.
12. Përkundër përvojës së gjatë në politikën lokale, unë si qytetar aktiv, që përcjell politikën lokale, nuk mbaj në mend ta kem dëgjuar Isën për ndonjë ide të veçantë, propozim të veçantë, për ta zgjidhur ndonjë problem lokal në komunë, as në pushtet lokal, as si opozitar. Prandaj, nuk shoh ndonjë shpresë për të, por i jep sharm demokracisë, në garën lokale, ndonëse më së shumti e dëmton, qoftë edhe me pak vota, Arbërin e LDK-së, e më pak e dëmton, Albanin e LVV-së.