Shkruan: Avni Rudaku
Nazim Gagica është kandidat për të dytën herë si Kryetar i Komunës së Gjilanit, në vitin 2021, por edhe për Zgjedhjet Lokale 2025. Madje ishte kandidat për deputet nga AAK-ja, edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025, për Kuvendin e Kosovës. I lindur në vitin 1972, është bashkë me Arbër Ismajlin e LDK-së dhe Riad Rashitin e PDK-së, pjesë e asaj që njihet në studimet shoqërore-demografike dhe ekonomike, Gjeneratë X (të lindur prej vitit 1965 deri 1980). AAK-ja në Gjilan ka qenë e drejtuar nga Ahmet Isufi, ish-Komandant i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, ish-Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (i vetëdorëhequr pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit me rastin e aktakuzës nga Gjykata e Hagës në vitin 2005 dhe solidarizimit me të), ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për ta zëvëndësuar këtë pozitë më pas nga viti 2013-2021, biznesmeni dhe ish-Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, dhe së fundi, në vitin 2022, Nazim Gagica e ushtron pozitën e kryetarit të Degës së AAK-së në Gjilan.
Deri më tash, asnjëherë nuk ka pasur gjasa me AAK-në dhe as në Zgjedhjet Lokale 2025, nuk pritet me asnjë gjasë që të merr postin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, dhe jam i bindur, se edhe vetë e di si kandidat me përvojë të gjatë në politikë. Sidoqoftë, Gagica ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverisjen lokale si: Drejtor i Administratës së Përgjithshme në Gjilan (2014-2018), udhëheqës i Kulturës në Drejtorinë për Kulturë në Gjilan (2008-2011), Anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit (2021-2025). Gjithashtu ka përvojë të gjatë si ligjërues në Kolegjin Internacional “FAMA”, prej vitit 2012 e këtej (së fundi janë akredituar edhe disa programe në këtë kolegj pas një pauze), Drejtor i Arsimit në Komunën e Gjilanit (2018-2021). Ka qenë i angazhuar edhe Drejtor për analiza financiare dhe kontabilitet në kompaninë “Cash Flow” në Gjilan (2011-2013). (Për më shumë, shih: https://gjilan.rks-gov.net/staff/nazim-gagica/)
Në vitin 2019, Gagica, ishte përzgjedhur ndër tre drejtorët më të mirë në Kosovë, bashkë me drejtorin e Arsimit në Gjakovë dhe atë në Prizren. (Për më shumë, shih: https://kryelajmi.com/nazim-gagica-nder-tre-drejtoret-te-mire-te-arsimit-ne-kosove/)
Gjithashtu, ishte vlerësuar për mësimin online gjatë pandemisë COVID-19 në Gjilan, si drejtor i arsimit.
Gagica në opinionin e gjerë publik, më shumë njihet si këngëtar, sesa si politikan, ndërsa për një pjesë të shoqërisë që përcjellë zhvillimet politike, e njohin edhe si politikan. Me të vërtetë, Gagica ka qëndruar në mes të politikës dhe muzikës, ndonëse mbi një dekadë, ka qenë aktiv sidomos në politikën lokale.
Sipas rrëfimit të vetë Nazim Gagicës, në një intervistë me Tefik Selimin, ai filloi të këndonte në moshën 12-vjeçare në paraqitjen e parë formale para publikut, të organizuar për mërgimtarët, ndërsa në moshën 21-vjeçare e filloi interpretimin e këngës e për të vazhduar edhe deri më sot, ndonëse jo aq me paraqitje kohës së fundit edhe nga angazhimi i tij në jetën politike komunale. Kryesisht është i njohur për këngët me motive kombëtare shqiptare. Në vitin 1994 ka zërë vendin e parë në Festivalin “Vullneti 94” në Gjilan. Mandej, në vitin 1996 i shpallur si këngëtari më i mirë në Festavilin Mbarëkombëtar të Këngës Popullore në Preshevë. Po ashtu, në periudhën 1995, 1996, 2000 dhe 2001 ka zënë vendet e para në manifestimin kulturor “Flaka e Janarit” në Gjilan; pjesëmarrës në Festivalin e videoklipeve “Videofesti 2004”, me këngën “Kthehuni me legjendat”, i nominuar në tri kategori për videoklipin më të mirë. Hitet e tij të njohura janë: “Mbretëresha pa kurorë” dhe “Sonte po të pres”. Gagica ka qenë këngëtar i angazhuar në të gjitha ansamblet që kanë vepruar në Gjilan, duke filluar nga Ansambli “Gurra” e deri tek Ansambli “GJILANI”. (Tefik Selimi, “Tefik Selimi: Intervistë me Nazim Gagicën, këngëtar”, 2011, në: https://www.zemrashqiptare.net/news/24404/tefik-selimi-interviste-me-nazim-gagicen-kengetar.html)
Kandidati Gagica ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik dhe studimet master, në drejtimin e menaxhmentit.
Përparësitë e Gagicës
1. Përvojë të gjatë në qeverisjen lokale, si ish-drejtor i dy drejtorive (administratë publike dhe arsim), ish-udhëheqës i kulturës, anëtar aktual i Kuvendit Komunal, kryetar dege etj.
2. I takon brezit të mesëm me përvojë të gjatë në politikë, kulturë dhe arsim, duke qenë pjesë e një gjenerate që ka pjekuri edhe kalendarike për qeverisjen lokale.
3. Si drejtor i Administratës së Përgjithshme, në kohën e bashkëqeverisjes me Lutfi Hazirin e LDK-së, mbahet në mend edhe për aplikimin online për certifikata, që atëbotë ishte risi, me projektin Home-Komuna, me dërgimin me postë të dokumenteve të gjendjes civile te shtëpitë e aplikantëve, dhe në vitin 2014, edhe për shërbimin e ri përmes e-Kioskut. Si drejtor i Arsimit, kishte marrë një vlerësim për njërin nga tre drejtorët më të mirë në Kosovë.
4. Ka vepruar mirë që herë pas herë ka qenë zëri i komunitetit me aftësi të kufizuara, madje duke e afruar në këto zgjedhje lokale, Fatmir Shurdhanin, Drejtor Ekzekutiv i Hendikos-it në Gjilan, një personalitet i dashur për publikun, për shkak se përfaqëson komunitetin e personave me aftësi të kufizuara.
5. Përkundër që është në një parti me përqindje shumë të ulët dhe e katërta me radhë në Gjilan, si Kryetar i Degës së AAK-së, Gagica është ndër më aktivët në hapësirën publike, duke habitur shumëkë me vullnetin e motivimin për deklarime publike rreth zhvillimeve aktuale, aktiv në Kuvendin Komunal, duke u mobilizuar me tërë energjinë për Zgjedhjet e Përgjithshme e Lokale, duke takuar strukturat e AAK-së, duke komunikuar me personalitete të ndryshme të shoqërisë në komunë, duke tërhequr figura të respektueshme si z. Shurdhani, në një parti me mbështetje të vockël, siç është AAK-ja në Gjilan. Prandaj, nuk ka përparësi më të madhe në politikë, sesa përkundër që për 24 vjet i sheh përqindjet minimale për subjektin ku bën pjesë dhe vazhdon të jesh shumë aktiv, kurrë pa u ndalur! Gjithashtu, partia e katërt në Gjilan, përkundër përqindje shumë të ulët në vota, ka mjaft fat për hisen e pushtetit të qeverisjes lokale, të paktën një drejtori, gjithmonë e siguron, nëse pak krijon strategji koalicioni ose krijohet nevoja e partnerit fitues. Nëse jo drejtor i drejtorisë komunale, anëtar i Kuvendit Komunal. Diçka del gjithmonë.
Mangësitë e Gagicës
1. Të gjitha figurat publike si Labinot Tahiri etj., përfshirë edhe Nazim Gagicën, pasi që njihen si këngëtarë te publiku i gjerë, nuk merren shumë seriozisht nga një pjesë e votuesve, sepse shihen që politikën e kanë si hobi, ose profesion të dytë, jo parësor, ndonëse garimi si këngëtar në politikë, sidomos për herën e parë dhe nëse je shumë i popullarizuar, garanton edhe sukses. Shembulli i Labinot Tahirit, u kandidua nga këngëtar si kandidat për deputet, dhe u zgjodh. Ndërsa për herën tjetër, Labi dështoi të fitonte ulësen e deputetit dhe u largua nga politika. Ose rasti i Edona Llalloshit nga LVV-ja, e fitoi ulësen me mijëra vota, në Zgjedhjet e Përgjithshme 2025. Sidoqoftë, Gagica nuk e ka popullaritetin e këngëtarëve të mësipërm, që tejkalojnë rajonin ose janë mbarëkombëtarë.
2. Nazimi vjen nga AAK-ja, si parti me mbështetje shumë të ulët në Gjilan, e cila në Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës 2001, AAK-ja në Gjilan i kishte 2938 vota, ose 6.86% të votave, ndërsa në Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës 2025, para pak muajsh, AAK-ja në koalicion me Nismën Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët, krejt bashkë kanë marrë në Gjilan, vetëm 1180 vota, ose 2.55%. Në këto zgjedhje të këtij viti, Ahmet Isufi nga AAK e Gjilanit, i kishte marrë 4299 vota si kandidat për deputet, ndërsa Nazim Gagica vetëm 1826 vota. Gagica në Zgjedhjet e fundit Lokale të vitit 2021 në Gjilan, si kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit nga AAK, i kishte fituar vetëm 1042 vota, ose 2.44% të votave. Në këto zgjedhje që po vijnë në tetor të këtij viti, në AAK ka aderuar edhe Lulzim Bexheti, i cili në zgjedhjet e fundit lokale në Gjilan, si kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës, kishte fituar vetëm 206 vota ose 0.48%, gjë që rezulton se as kjo nuk do ta ndihmojë aq në rritjen e AAK-së në Gjilan, duke u radhitur zakonisht si partia e katërt vazhdimisht që nga paslufta e deri më sot. Nëse AAK-ja nga viti 2001 me 2938 vota ka rënë në më pak se 1180 vota, atëherë mesatarja sillet dobët dhe rezultati negativ mbetet mjaft i parashikueshëm.
3. Vetë e di Gagica që nuk ka asnjë gjasë reale të fitojë si Kryetar Komune, por garon në vazhdimësi herë si kandidat për Kryetar Komune, herë si kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës. Kjo nuk vlerësohet aq mirë nga një pjesë e konsiderueshme e publikut, madje krijohen batuta të pafundme. Nuk shihet si rend i zakonshëm në pluralizmin partiak e demokratik, për ta shtuar koloritin e zgjedhjeve lokale.
4. Për shumë arsye, që nga fillimi i saj, AAK-ja në Gjilan, dhe popullariteti i ish-liderit të Degës, Ahmet Isufit, nuk ka qenë sikur i komandantëve në zonat e tjera të Kosovës (nuk ka qenë lufta njësoj në çdo rajon të Kosovës, për shumë arsye, por edhe për shkak se nuk e kemi pasur vazhdimësinë territoriale me Shqipërinë!), prandaj AAK-ja e ka të vështirë të zgjerohet e të shtrihet më tej në Gjilan.
5. Për kohë të gjatë, qeverisja lokale në Gjilan është drejtuar edhe nga partneriteti i partive fituese si LDK-ja, me AAK-në, duke e bërë të bashkëpërgjegjshme edhe për shumë veprime keqqeverisëse lokale.
6. Si drejtor i Administratës së Përgjithshme, në kohën e bashkëqeverisjes me Lutfi Hazirin e LDK-së, mbahet në mend edhe për e-Kioskun për nxjerrjen e dokumenteve, që nuk e mirëmbanin si menaxhment komunal, shpesh nuk funksiononte dhe tregonte për papërgjegjësi institucionale. Atëbotë nuk ishte e-kosova, që dorën në zemër, çështja e dokumenteve të gjendjes civile është revolucion për të mirë në Kosovë. Nuk ka askund më pritje në radhë si dikur, me ndonjë përjashtim të sezonës së mërgimtarëve, ose kur më ka rënë të bëja riregjistrimin fizik të veturës, përndryshe, e-kosova funksionon me shumë shërbime, shkëlqyeshëm, nga niveli qendror, por po flasim atëbotë, kur nuk ishte e-kosova, e nuk mirëmbahej siç do të duhej, e-kiosku.
7. Si drejtor i Arsimit në Komunën e Gjilanit (2018-2021), nën udhëheqjen e Kryetarit Haziri të LDK-së, pavarësisht edhe përvojës së tij si ligjërues universitar, nuk arriti ta transformonte arsimin parauniversitar në komunë, pa reforma të rëndësishme në mënyrën e rekrutimit të kuadrove të reja të mësimdhënësve, për cilësi në mësimdhënie e mësimnxënie etj. Nuk la ndonjë gjurmë të rëndësishme, pavarësisht që u zgjodh ndër drejtorët më të mirë në Kosovë, e që për mua, nuk vlejnë kriteret e vendosura të institucioneve të Kosovës për reforma të vërteta në arsimin parauniversitar.
8. Zakonisht kryetarët e degëve të partive politike në të gjitha komunat, përfshirë edhe të AAK-së në Gjilan, janë shumë të kënaqur, qoftë edhe nëse Kryetari i Degës, si bartësi i listës, ose vetëm kryetari fiton sadopak një ulëse, ose një post në drejtorinë komunale përmes koalicionit të nevojshëm gjithmonë në Gjilan, ose për një post që duket pak, por është mjaft, siç është pozita e Nënkryetarit të Komunës. Shembulli i Leonorës nga ish-PDK-ja, partia e tretë me vota në Gjilan, ishte kandidate për Kryetare të Komunës, doli e treta, dhe me koalicion me LVV-në, u bë Nënkryetare e Komunës së Gjilanit, që i bie, menjëherë pas kryetarit të komunës.
9. Ideja që të garosh si Kryetar Komune, me gjithë rezultatet zyrtare në KQZ që mund të analizohen për çdo sekondë përmes qasjes online, dhe kur e di që nuk ke asnjë gjasë, shpesh krijon te një pjesë e publikut, edhe batuta të pyetjes së habitshme: “Ka humbur Gagica në vitin 2021 si kandidat për Kryetar Komune, kurrë nuk kanë fituar në këtë post as bashkëpartiakët e tij si Ahmet Isufi, as Rexhep Kadriu, dhe ka humbur si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës para pak muajve me as 2 mijë vota, si garon sërish për Kryetar Komune?!” Insistimi veç për të garuar, pavarësisht rezultatit që e di edhe vetë se është humbja e sigurt, krijon një vlerësim të dobët të publikut dhe votuesve për kandidatin. Është në rregull për Anëtar të Kuvendit Komunal, por jo për Kryetar Komune. Mund të jetë edhe një formë e mirë për të promovuar partinë për çështjet e tjera, zgjedhjet e tjera, me pjesëmarrjen në debatet elektorale etj., por megjithatë, krijohen shaka nënvlerësimi për figurën publike e politike.
10. Gabimi strategjik i AAK-së dhe Gagicës në Gjilan, që garon për Kryetar Komune, ndonëse e di sigurt që do të humb kandidati nga radhët e veta, dhe nuk krijon koalicione parazgjedhore lokale, e veçmas për garën kryesore, LVV ose LDK. Ose i bashkohesh si parti e vogël, Albanit të LVV-së, ose Arbërit të LDK-së. Këto vota të pakta të Gagicës dhe AAK-së në Gjilan, janë shumë domethënëse nëse arrihet të binden strukturat, Dega e Nëndegët, si dhe votuesit e AAK-së, të votohet për koalicionin parazgjedhor me një kryetar të vetëm për komunë nga partneri i madh. Në një garë të vitit 2021, as 900 vota nuk ka qenë diferenca e Albanit me Lutën. Prandaj, këto egot për ekspozim veç hajt si kandidat për Kryetar Komune, me gjithë parashikimin e saktë se nuk fiton asgjë, janë mangësi e madhe në vlerësimin politik.
11. Ideja që të kandidosh veç hajt si Kryetar Komune, pa i sistemuar së paku 10 projekte, 10 alternativa, 10 premtime konkrete për Gjilanin, është varfërim i ofertës demokratike e pluraliste për votuesit.
12. Pavarësisht se jam ithtar i hatashëm i pluralizmit politik e partiak, si është e mundshme të ketë disa parti në Gjilan, përfshirë edhe AAK-në, kandidatë të pavarur, e nuk ka ndonjë profil të veçantë, program të veçantë, ide të veçanta për Gjilanin. Nuk ka asnjë kuptim të garosh me një parti tjetër si kandidat në mesin e kandidatëve të tjerë të partive rivale e me kundërkandidatë të pavarur, e të mos kesh identitet të veçantë politik, ide të veçanta konkrete, projekte unike.
13. Për shkak se tashmë është i provuar në disa poste publike, Gagica konsiderohet tashmë edhe i konsumuar politikisht. Për disa poste në bashkëqeverisje me Lutfi Hazirin, faturat e keqqeverisjes i shkojnë edhe atij.