Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Sipas raportit të siguruar nga Tëvë1, Murseli është vlerësuar si plotësisht i përgjegjshëm dhe pa çrregullime mendore.
“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raportin zyrtar.
Tutje, në dokument sqarohet se nuk janë gjetur as dëshmi për abuzim me substanca psikoaktive apo alkool.
“Nuk është konstatuar ndonjë përmbajtje, ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool. Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet”, thuhet në raport.
E për këtë, avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leotrim Sylaj ka deklaruar se ekzaminimin e Naim Murselit e ka mirëpritur familja e të ndjerës tashmë, Liridona Ademajt.
Pasi që sipas tij, familja Ademaj ka qenë gjatë gjithë kohës e shqetësuar për faktin se mund të gjenden procedurat e tjera alternative për shpëtimin e Naim Murselit nga përgjegjësia penale.
Madje për kërkesën nga ana e mbrojtjes të Naim Murselit për ekzaminim, sipas avokatit është njëra nga alternativat e mbrojtjes për të zvarritur procedurën.
“Ekzaminimi i Naim Murselit ka përfunduar dhe sot e kemi pranuar në formën elektronike të njëjtin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pranimi i këtij ekzaminimi dhe përmbajtja e tij është konfirmimi i asaj që kemi besuar edhe mëherët që Naim Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor apo paftësi mendore çfarëdo lloji dhe mendojmë që është betonim i asaj që kemi thënë por që e kemi mirëpritur, sidomos familja të cilët kanë qenë të shqetësuar gjatë gjithë kësaj kohe në mos mund të gjenden procedurat e tjera alternative për shpëtimin e Naim Murselit nga përgjegjësia penale kështu që padyshim e kemi mirëpritur. Ne mendojmë se kjo kërkesë është njëra nga alternativat e mbrojtjes për të zvarritur procedurën”, ka deklaruar avokati./teve1.info/