Babai i Agonis Tetajt ka publikuar një video me pamje të rënda të ngjarjes që ka ndodhur në Deçan dy vjet më parë ku shihet se si i akuzuari Shaban Gogaj kishte qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur të birin e tij i cili ishte duke punuar në kompaninë e dorasit.Publikimi i kësaj video është bërë si reagim pasi prokurori i rastit në fjalën përfundimtare, të martën, e ka rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e Rëndë” në “Vrasje nga Pakujdesia”.Avokati i familjes Berat Tmava, në Klan Kosova, ka thënë se babai i të ndjerit është ndjerë i fyer që është bërë rikualifikimi i veprës penale ani pse, sipas tij, provat nuk janë në favor të një veprimi të tillë.“Ky ka qenë reagim i familjes së të ndjerit, gjegjësisht babait të të ndjerit. Është ndjerë tej mase i fyer nga ana e Prokurorisë së Shtetit kur e kualifikon veprën penale në atë mënyrë duke pasë parasysh provat të cilat gjenden në dosje të lëndës. Asnjë provë nuk ka ekzistuar që vepra penale të kualifikohet në atë mënyrë. E vërteta kryeneçe është ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë. Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Pejë e cila edhe e ka ngritur aktakuzën. Ne konsiderojmë se edhe ndërrimi i prokurorit është bërë pa asnjë arsyetim”.“Videoja është fakt që edhe nëse duam ta ndryshojmë nuk mundemi. Ato janë prova jetëgjate që na ndjekin pas. Veprimet e të akuzuarit Shaban Gogaj më së miri i kanë shpjeguar në raportin e tyre ekspertët e balistikës duke përshkruar në detaje rregullat e arta të përdorimit të armës për të cilat ka pasë njohuri i akuzuari. Të dy specialistët kanë arritur te mendimi dhe konstatimi profesional se i pandehuri ka pasë njohuri paraprake lidhur me përdorimin e armës së zjarrit. Specialisti i forenzikës, që është dëgjuar dy herë në shqyrtimet gjyqësore, ka qëndruar në tërësi pranë këtyre opinioneve dhe nuk e ka ndryshuar asnjë germë të vetme”.Ai ka thënë se me anë të një parashtrese ka kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues që kjo çështje të rigjykohet dhe prokurori i rastit të ndërrohet duke thënë se ky i fundit e ka dëshmuar që është i anshëm.“Si guxon një prokuror i cili as nuk e ka ngritur aktakuzën dhe as nuk i ka zbatuar hetimet dhe ka ardhur aty pa asnjë arsyetim dhe në fjalën përfundimtare na vë para aktit të kryer dhe e bën rikualifikimin e veprës penale në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe nenin 350 të Kodit Penal të Kosovës”.“Nuk e di arsyen, por ne në shenjë revolte e kemi lëshuar sallën e gjykimit dhe e kemi parë që diçka nuk është në rregull. Nuk do të marrim pjesë as në shpalljen e aktgjykimit – nëse shpallet. Unë i kam shkruar një parashtresë kryetares së trupit gjykues ku kam kërkuar që kjo çështje penale të rigjykohet edhe një herë dhe prokurori i çështjes të ndërrohet nga ky rast, sepse e ka dëshmuar që është i anshëm. Prokurori i rastit, them me plot përgjegjësi, e ka luajtur rolin e avokatit dhe jo të prokurorit siç parashihet me dispozita ligjore”.“E kam pranuar një kopje të fjalës përfundimtare të prokurorit të rastit i cili nuk i jep vëmendje të veçantë ekspertizës që pasqyron gjithçka e as videoincizimit, por i bëjnë përshtypje deklaratat e punëtorëve të Gogajve të cilët janë subjektivë se marrin rrogë aty që thonë se kishe ka ndodhur rasti pahiri. Këta dëshmitarë kanë qenë subjektivë të cilëve as prokurori dhe as askush tjetër nuk ka të drejtë t’ua falë besimin”.
Avokati i familjes së të vrarit në Deçan: Prokurori ka dëshmuar që është i anshëm
Ndani këtë artikull