Avokati i Popullit ka publikuar Opinionin Ex Officio nr. 538/2025, në të cilin trajtohet rritja e çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin që kjo rritje ka në të drejtat dhe jetën e qytetarëve, veçanërisht të grupeve më të cenueshme.
Sipas opinionit, rritja prej 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës dhe rëndon situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë ndihmë sociale. Avokati i Popullit thekson se kjo rritje është vendosur pa një bashkërendim të duhur ndërinstitucional dhe në kundërshtim me nenin 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili parasheh konsultim të detyrueshëm me institucionet për mbrojtjen e konsumatorëve.
Në opinion theksohet se Qeveria e Republikës së Kosovës ka për obligim të sigurojë masa mbrojtëse për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, për të shmangur përkeqësimin e kushteve ekonomike dhe krijimin e praktikave monopoliste në tregun e energjisë. Po ashtu, Avokati i Popullit nënvizon se mungesa e institucioneve të konstituuara dhe e një procesi transparent ka rritur mosbesimin e qytetarëve dhe ka cenuar interesin publik.
Institucioni ka marrë shqetësime dhe ankesa nga qytetarë, përfaqësues të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës dhe avokatë të palëve të prekura, të cilat kanë nxitur nevojën për ndërhyrje institucionale të menjëhershme.
Avokati i Popullit ka kërkuar që të pezullohet menjëherë zbatimi i vendimeve të ZRRE-së:
• Vendimi V_2697_2025
• Vendimi V_2702_2025 (nr. prot. 252/2025, datë 29 prill 2025)
• Vendimi V_2698_2025
• Vendimi V_2703_2025 (nr. prot. 253/2025, datë 29 prill 2025)
Këto vendime, sipas Avokatit të Popullit, duhet të mbeten të pezulluara deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e plotë të implikimeve ligjore.
Avokati i Popullit apeloi për reagim të koordinuar nga ana e qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse, duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe masa të qëndrueshme për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.