Procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara në Hagë shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për refuzimin e “kërkesave procedurave dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja”.
Në këtë letër, Qelaj përmend edhe pranimin e disa provave nga Serbia.
“Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letrën drejtuar Trendafilovës.
Ndër tjera, Qelaj në këtë letër thekson se është shqetësuese “të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja”.
“Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve”, thuhet më tej.
Letrat e Qelajt drejtuar Trendafilovës, nënvizon edhe mënyrën se si Dhomat e Specializuara trajtojnë paraburgimin.
“Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare”, thotë Qelaj.









