Komuna e Gjilanit përkundër që paralajmëroi se nga e hëna (27 Maj) që kaloi do të nis zbatimin e projektit të ndërtimit të rrugës “Adem Jashari” e Zija Shemsiu”, atë nuk e nisi, si duket, për shkak të reagimeve të bizneseve afariste në ato rrugë, që tani po përgatitën për sezonën e tyre, përgjatë muajve më frekuentues.
Ndonëse drejtuesit e komunës heshtin për arsyen e lirimit të Mentor Mihovcit, nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, duket se ky “dështim” për të nis punimet me ditën e caktuar, mund të jetë njëra ndër arsyet e “mbushjes së kupës”.
Sidoqoftë, reagime ka tani edhe nga subjektet politike, dhe Ardian Azemi, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan tha se nuk duhet të nisen punime në ato rrugë ku ka shumë biznese e që mund të pengohet veprimtaria e tyre biznesore. Ato, tani nisin përgatitjet për sezonën e verës veçmas me ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje.
“Gjilani është komuna më e pazhvilluar në Kosovë, bizneset janë përtoke. Jemi në prag të sezonës kur i kemi bashkatdhetarët në Kosovë, sezonë kjo të cilën e presin me padurim bizneset, andaj nuk duhet të fillojnë punime në rrugë ku pengohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, rrjedhimisht pengohen bizneset”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, Komuna duhet t’iu krijojë lehtësira bizneseve, qasje të lehtë e hapësira të mjaftueshme.
“Ato sot janë tu mbijetue, nuk bëhet fjalë për zhvillim e përparim, fatkeqësisht po mbijetojnë, andaj mos ua vështirësoni punën edhe më shumë”, ka thënë Azemi i AAK-së.