Gjykata Themelore në Gjilan, ka në prioritet edhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijeve, gjë kjo e cila mund të realizohet përmes zgjidhjes së lëndeve për të mitur nga Gjykata, thonë autoritetet e këtij institucioni.
Ramiz Azizi, drejtor i Gjykatës Themelore në Gjilan tha se kjo në fakt nënkupton që të parandalohet kriminaliteti tek fëmijët tjerë si dhe që të bëhet riaftësimi i atyre që kanë kryer vepra penale.
Sipas tij, gjyqëtari i Departamentit për të mitur, i cili gjykon këto lëndë, përveç se është profesionist i vërtetë, duke patur parasysh edhe përvojen e tij të gjatë, po në të njejtin Departament, po i njejti në baza mujore viziton të miturit në institucione edukative-korrektuese, për të parë nga afër rehabilitimin dhe pendimin e tyre, për veprat që kanë kryer.
“Në bazë të dhënave statistikore për vitin 2018 kemi trashëguar 107 lëndë nga vitet e mëhershme, pastaj kemi pranuar gjatë vitit 176 lëndë. Gjithsejtë në punë 278 lëndë, prej tyre janë zgjidhur 180 lëndë, ndërkohë kanë mbetur edhe 98 lëndë në punë që janë trashëguar në vitin 2019”, tha kryetari Azizi.
Kurse, duke iu referuar sanksioneve, tha, se janë: 2 lëndë-aktgjykim gjykues, 33 lëndë-masë disiplinore, 98 lëndë-masë mbikëqyrëse, 8 lëndë-masë dërgim në ente, dhe numri prej 39 lëndësh është zgjidhur në mënyrë tjetër.
Ai tha se gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2019, që në fillim të vitit janë trashëguar 98 lëndë për të mitur. Mandej janë pranuar 105 lëndë, gjithsejtë 203 lëndë, kurse prej tyre janë zgjidhur 130 lëndë, e kanë mbetur në punë edhe 73 lëndë.