Prishtinë- Ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, gjyqtari Ramiz Azizi në takimin e 278-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka prezantuar raportin e punës për tremujorin e parë të vitit 2022, të Gjykatës Themelore në Gjilan dhe degëve të kësaj gjykate.
Sipas, Azizit, Gjykata Themelore në Gjilan në tremujorin e parë të vitit 2022 ka zgjidhur tetë lëndë të korrupsionit, ndërsa sipas tij 13 lëndë janë aktive dhe të gjitha në punë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, ish-kryetari Azizi ka njoftuar Këshillin, se Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka asnjë rast të shenjestruar dhe as një rast të krimit të organizuar.
Ai ka shtuar se efikasitieti më i madh në zgjidhjen e lëndëve për këtë tremujor të vitit 2022 është në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndërsa efikasitet më të dobët sipas tij, ka dega në Viti.
Sa i përket arsyes së shtyrjeve të seancave, ish- kryetari Azizi tha se arsyet e shtyrjes më së shumti janë për mungesën e palëve në procedurë, një arsye tjetër sipas tij, është edhe numri i vogël i prokurorëve e siç tha ai kjo po reflektohet pastaj edhe në efikasitetin e kësaj gjykatë.
Ai ka thënë se sfidë për këtë gjykatë, konkretisht për degën në Kamenicë mbetet çështja e interpretëve gjyqësor.
Azizi shtoj se nuk kanë lëndë me parashkrim relativ në Gjykatën Themelore ne Gjilan, ndërsa lëndë me parashkrim absolut ai tha se janë në numër relativisht të vogël.
Ai tha se në Gjykatën e Gjilanit janë 5867 lëndë të vjetra dhe si shkak të mos kryerjes së këtyre lëndëve përmendi mos plotësimin e kushteve për kryerjen e lëndëve të tilla.
Sipas ish-kryetarit Azizi Gjykata Themelore ne Gjilan ka publikuar 423 vendime në periudhën janar-mars 2022.
“Sa i përket publikimit te vendimeve këtu nuk qëndrojmë keq 423 vendime në këtë periudhë tre mujore janë publiku, ndërsa shpresoj që periudhat pasuese do te kemi raportim edhe me te suksesshëm se sa tani”, tha ish-kryetari Azizi.
Takimi po vazhdon me raportimin e kryetarëve të Gjykatave të tjera.
Ndryshe, Ramiz Azizi ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan deri më 17 prill 2022, ndërsa KGJK në takimin e 284-të ka zgjedhur Venhar Salihu kryetar të kësaj gjykate./BetimipërDrejtësi